E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata kthen në shtëpi ish-kryebashkiakun e Himarës

21/04/2005  Lirohen nga burgu të akuzuarit për korrupsion e shpërdorim

VLORË - Lirohet nga burgu ish-kreu i Bashkisë së Himarës, Viktor Mato, së bashku me ish-shefin e financës së kësaj bashkie, Thoma Çelo. Ka qenë gjykata e Apelit Vlorë, ajo që la të lirë të dy ish -zyrtarët e lartë të Bashkisë së Himarës pas arrestit me burg të dhënë nga Gjykata e Faktit Vlorë.

Avokati i dy të akuzuarve kishte bërë resurs për masën e sigurisë, duke kërkuar një masë tjetër më të butë për klientët e tij, me motivin se ata janë njerëz publik dhe pa rrezikshmëri shoqërore, dhe se do të jenë në dizpozicion të gjykatës.

Seanca gjyqësore është zhvilluar në Gjykatën e Apelit të Vlorës dhe trupi gjykues vendosi një masë më të butë për të dy ish- funksionarët e bashkisë.

“Arrest shtëpie”, ishte masa e dhënë nga Apeli, ku të dy ish- funksionarëve iu duhet të presin në shtëpi hetimet mjaft të gjata që kryhen në raste të tilla.

Sipas trupit gjykues, në raste të tilla, kur ka shkelje financiare e vjedhje me shpërdorim detyre, hetimet zgjasin mjaft dhe gjykata ka parë të arsyeshme që të ndaluarit të presin në shtëpi hetimet e Prokurorisë së Vlorës.

Urdhri për arrestimin e Viktor Matos dhe Thoma Çalos ishte dhënë nga Prokuroria e Vlorës. Organi hetimor, më shumë se dy muaj më parë, kishte filluar hetimet, duke gjetur elementë fajësie për dy të arrestuarit.

Sipas Policisë dhe Prokurorisë, hetuesit kanë gjetur edhe elementë të qartë bashkëpunimi mes dy të arrestuarve në abuzimin me detyrën.

Sipas kryeprokurorit të Vlorës, Petrit Çano, u mësua pas arrestimit të tyre, se do të ketë dhe persona të tjerë të implikuar në këtë histori abuzimi, e cila do të dalë nga hetimet e mëvonshme.

“Ka disa lloje vjedhjesh të realizuar nga të dy të akuzuarit. E para, është vjedhja e të ardhurave që mblidhte Bashkia e Himarës nga ambientet e dhëna me qira, që llogaritet aty te 33 milionë lekë të vjetra. Gjithashtu, nuk janë derdhur lekët e dhëna nga ndërtuesit në Bashkinë e Himarës. Bëhet fjalë për disa përqindje që bashkia vilte ngë çdo leje ndërtimi të dhënë. Kjo shumë kalon të 15 milionë lekët, pra së bashku bëhet fjalë përreth 190 milionë lekë të vjetra”, bëri të ditur Çano.

24 mars 2005/ Arrestimi

Mato e Çala, katër akuza

Viktor Mato dhe ish-vartësi i tij, Thoma Çalo, u arrestuan mëngjesin e datës 24 mars 2005. Prangosja e ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, si dhe e ish-shefit e financës të kësaj bashkie, u bë në banesat e tyre.

Arrestimi i Viktor Matos, ish-kryetar i Bashkisë së Himarës, në vitet 2000-2003, dhe ish-shefit të Drejtorisë së Financave në këtë bashki, Thoma Çalo, u bë me urdhër të organit të akuzës në Vlorë.

Policia e këtij qyteti kreu ekzekutimin e urdhërarresteve, ndërsa dy të dyshuarit ishin nën vëzhgim dhe ruajtje prej disa javësh.

Burime zyrtare të Prokurorisë së Vlorës bënë të ditur se dy të arrestuarit akuzohen për "vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim". Të arrestuarit do të përballen me akuzat e shkeljeve në detyrë, duke abuzuar me fondet publike, përvetësim të këtyre fondeve në sektorin qiradhënie, abuzim në shitjen e trojeve në zonën e Himarës dhe favorizim të kompanive të ndryshme në dhënien e lejeve të ndërtimit, sqaruan burime e organit të akuzës. Nga Prokuroria thuhet se, mbi dy të arrestuarit, rëndojnë katër akuza, që lidhen me dyshimet për abuzime financiare në detyrë.

Dy ish-drejtuesit e pushtetit vendor të Himarës akuzohen se kanë kryer veprën penale gjatë periudhës së viteve 2000-2003, kur ata ishin në detyrë. Ish-kryebashkiaku Mato ka fituar zgjedhjet vendore në vitin 2001 në siglën e PS dhe ka drejtuar tre vjet. Edhe Thomai për tre vjet me radhë ka qenë shefi i financës së Himarës.

Akuzat

Favorizim të kompanive në dhënien e lejeve të ndërtimit

Përvetësim i fondeve publike nga lejet e ndërtimit

Përvetësim të të adhurave, nga objektet të dhëna me qira

Shitje të trojeve

Vjedhje me anën e shpërdorimit të detyrës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›