E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet afati për kërkesat

21/04/2005  Ditën e hënë, deputetët do të votojnë kërkesën e bërë prej Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, mbi shtyrjen e afateve që iu janë lënë në dispozicion ish- pronarëve për të kërkuar kompensimin. Burimet kanë bërë të ditur se drafti ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve në parlament, ndaj dhe nuk do të ketë kundërshtime. Komiteti shtetëror, në kërkesën e paraqitur, ka argumentuar se, duke parë vonesat në zbatimin e ligjit, pasi nevojiteshin ngritja e komisioneve vendore si dhe miratimi i formulës që do të vendoste çmimet e tokës, është e nevojshme që të shtyhen afatet e parashikuara në ligj si për të kërkuar pronën, ashtu dhe për të vendosur kthimin dhe kompensimin. Komiteti ka kërkuar që afati të shtyhet deri në shtator të vitit 2006. Ndërsa në ligjin e parashikuar në korrik të vitit të shkuar, afati përfundon në shtator të vitit 2005. Duke ndjekur këtë arsyetim, deputetët kanë rënë dakord që të miratojnë ndryshimin, duke e cilësuar si tepër të nevojshëm. Nga ana tjetër, disa deputetë kanë kërkuar që të hiqet fare neni që kufizon afatin për të kërkuar kompensimin. Sipas tyre, është antikushtetuese që një personi t'i kufizosh kohën, për të kërkuar atë që ai e ka në pronësi. Në përputhje me këtë dhe përfaqësuesit e shoqatës "Pronësi me Drejtësi", kanë paraqitur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkojnë shfuqizimin e kësaj pike. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar, as prej kushtetueses dhe as prej dy forcave kryesore të politikës shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›