E Diel, 1 Nëntor 2026

Gra në revoltë apo nëna të Hipokratit

21/04/2005  “My changes”

Gratë në revoltë apo nënat e Hipokratit, apo “My changes”? Ndryshimet e mia duhet të fillojnë tek ty ose/ose, pasi përfundojnë punët e shtëpisë, i lenë pasdore telenovelat, pse edhe ato janë pa lidhje, sikurse bashkëshortët që, normalisht, duhet të vijnë në fund të fundit pas maçokut në familje.

Do të përpiqen të prezantojnë lëvizjen kulturore për këtë vit. Iniciativa që Oksidenti i ka superuar 30 vjet më parë, por ne i përkasim Tiranës dhe revoltat feministe vijnë thjesht me mini dhe bikini. Më shih - do dal sot te blloku - flokët i kam bërë të verdha si dhëmballa jote 3 javë përpara ndërhyrjes së asaj dentistes - hë more – shkove për një të nxori tre!!!

A mund të quhet kjo lëvizje feministe? Pikëpyetjet kanë filluar t’i përngjajnë parcelave të Bilishtit. Ndërsa, Suzana Varvarica edhe pse i njeh shumë mirë problematikat e kësaj shoqërie me antikap nga të pakapshmit, insiston të vazhdojë iniciativën e filluar nga ajo vetë në 2003-shin, me realizimin e edicionit të tretë “My changes”.

Ky i fundit i bashkëngjitet aktiviteteve të tjera të përvitshëm “Onufri” dhe “Marubi”, ku këta të dytët e kanë marrë tashmë formën e tyre ekzakte të statutit. Panorama brilante e artit pamor perëndimor, e përcjellë maksimalisht në Tiranë. Ndërsa “My changes” për shumë dashamirës të artit, vjen fonetikisht si edicion i parë. E ka fajin monitorimi apo forma katrore e bo... gratë si këto nuk kanë, kështu që dalim te historia e hallës.

Por pse vlen po kaq “My changes” në Tiranë?

Për shumë arsye, saqë po të fillojmë e t’i shtjellojmë një nga një tani, do të na duhet edhe durimi i devesë, edhe kaçurrelat e popullit italian.

Po ndalem vetëm te njëra, e cila në fund të fundit s’është tjetër, veç fundi i barqeve puritanë, që transmetojnë personalitet. Ndërkohë sa do doja që këtë artikull ta kisha ndërtuar me një linguazh perfekt të koncepsionit, por krahasimet negative me ish-sekretarë ordinerë kooperativash, mund të frymëzojnë thjesht për zhargon që di të vizatojë portrete bosh, të këtyre profesionistëve të ripunësuar.

Më shumë se ky artikull mund të flasë fotografia e këtyre vajzave nën armatë – shtrëngojë fort këmbëzën, edhe kur mungon!

Ndërsa tema për këtë edicion të “My changes” është në formë dimensionesh. Çdo artiste është e ftuar të sjellë një punë të sajën me përmasat 19cm X 14 cm. Kaq është edhe hapësira metaforike që ze femra në Shqipëri – thotë kuratorja e “My changes”, Suzana Varvarica. Dhe sikur të ktheheshim në shoqërinë e matriarkatit, të cilën e gjejmë në librat e historisë si gënjeshtra, se me siguri që ajo as nuk ka ekzistuar ndonjëherë, si do të funksiononte “My changes”?

Si ekspozita ku femra shqiptare ndërhyn me artin e penelit dhe objektivit apo duhet të vazhdojmë kërkimin e një qëndrese graviteti, ku paramendimet nuk ndryshojnë kurrë???

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›