E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionet miratojnë çmimet e pronave

21/04/2005  Nuk do të lejohet kthimi fizik nën 1000 m2 në qytet dhe 500 m2 në zonë turistike

Komisioni Parlamentar i Bujqësisë ka vendosur dje që të mos lejojë kthimin fizik të tokës në qytet nën 1000 m2 dhe në zonat turistike nën 500 m2. Madje, deputetët kanë kërkuar që një përcaktim i tillë të mos lihet vetëm në Metodikë, por të vendoset me një ligj të veçantë. Kjo sepse, vetëm përcaktimi konkret në ligj do të frenonte, kthimin e tokave në zonat e banuara në hapësira të vogla. Megjithatë, me vendimin e marrë dje në Komisionin parlamentar të Bujqësisë është hapur rruga për miratimin përfundimtar të metodikës. Tashmë, do të jetë seanca që do të përcaktojë përfundimin e studimit dhe nisjen e kompensimit. Sipas programit të punës së Kuvendit, më datë 24 do të votohet drafti përfundimtar.

Përplasja

Në fillim të mbledhjes, deputeti i Partisë Socialiste në Komisionin parlamentar të Bujqësisë, Zydi Pepa, ka kërkuar që të hiqet kufizimi për kthimin fizik të tokës truall, apo të tokës në zonat turistike. Sipas tij, vendosja e këtij kufizimi do të sjellë një rritje të faturës financiare, që duhet të përballojë shteti. Ndaj, ai tha që toka të kthehet në hapësirën që ka pasur pronari, ndërsa për ndërtimet mbi të më parë të merret leje nga institucionet përkatëse. Sipas tij, është urbanistika që ndalon ndërtimet pa kriter, ndaj dhe nuk ka pse të vendosen kufizimet. Por kryetari i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sokrat Sinaj, tha se vendosja e kufizimit ka si qëllim të vetëm shmangien e kioskëzimit të qyteteve, apo të zonave urbane. Ai ka kërkuar miratimin e përcaktimit. Pas kësaj shumica e deputetëve kërkuan që kufizimi të vendosej si në Metodikë ashtu dhe në projektligjin që do të paraqitet.

Vendimi

Komisioni parlamentar i Bujqësisë ka vedosur të miratojë propozimin e bërë prej komitetit të pronave mbi mënyrën e vlerësimit të tokës. Megjithatë është lënë që çdo vendim të jepet, pasi metodika të jetë paraqitur në formën e një projektligji. Këtë detyrë e ka marrë përsipër Komisioni parlamentar i Ekonomisë. Ndaj pritet që drafti të kalojë dhe një herë për diskutim, ndërsa janë përjashtuar mundësitë e hedhjes poshtë apo për ndryshimet e tjera.

Çmimet

Sipas draftit të ndryshuar në Komisionin parlamentar të Bujqësisë, çmimi maksimal i tokës truall do të jetë 750 euro për m2, nga 606 që ishte propozuar më parë prej komitetit shtetëror. Ndërsa për tokën bujqësore, çmimi do të jetë nga 1 euro deri në 5 euro për m2. Gjithashtu është vendosur që të parashikohet çmimi dhe për tokën në zonat turistike, por që nuk është as në bregdet dhe as pranë liqeneve. Në këto raste, vlera do të nisë prej 20 euro. Megjithatë, pas miratimit të Metodikës do të nisë dhe një studim, për të caktuar çmimet në të gjitha qytetet dhe për të gjitha kategoritë e pronës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›