Zbardhet vetëhelmimi në Vlorë, viktima i sapokthyer nga emigrimi
BERAT – Zbardhet ngjarja në plazhin e Vlorës, kur një i ri u gjet i pajetë të shtunën, pas vetëhelmimit me fostoksinë. Pandeli Lakra, baba i një fëmijë, 26 vjeç kishte udhëtuar nga Berati drejt qytetit bregdetar me familjen e tij, ku dhe u vetëflijua. Burime nga polica bënë të ditur se i riu kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni në Itali. Dy ditë më parë ai kishte shkuar në Vlorë bashkë me gruan dhe fëmijën e tij, si dhe dy vëllezërit. Por në orët e mbasdites, ai është larguar nga familjarët e tij duke konsumuar edhe fostoksinën. Pas pak minutash, i riu ka rënë pa ndjenja përtokë. Disa kalimtarë i kanë dhënë ndihmë duke e transportuar menjëherë në spitalin e qytetit. Mjekët e këtij spitali bënë të ditur se tentativa e tyre për t’i dhënë ndihmën e parë ishte e kotë, pasi viktima kishte ndërruar jetë gjatë rrugës. Pas sinjalizimit të dhënë, policia mbërriti në vend dhe nga kontrolli i kryer, viktimës iu gjet patenta e cila mundësoi edhe identifikimin e 26-vjeçarit Pandeli Lakra, nga qyteti i Beratit. Nga hetimet e kryera, grupi hetimor ka dalë në konkluzionin se i riu e ka kryer aktin e vetëflijimit në gjendje depresioni. Ai kishte disa ditë që kishte shfaqur shenja stresi e mërzitje, por motivet e kësaj gjendjeje ende nuk dihen. d.xh