Gjykata lë në qeli Romeo Lekën, pritet akti i ekspertimit
Laureta Rryçi
Romeo Leka, i arrestuar pak ditë më parë në Tiranë si autor i grabitjes së një banke dhe pengmarrjes së një vajze, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve të hapura ndaj tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Leka, gjatë ballafaqimit të parë me Gjykatën, nuk ka preferuar të japë shumë shpjegime për ngjarjen, duke kërkuar përfundimin e shpejtë të seancës për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të tij. Madje ai është ngritur dhe në këmbë duke u shprehur se mjaft qëndroi në kafaz. Mirëpo katër gardianët që kanë qenë me të e kanë ulur sërish në stol për të qëndruar atje derisa palët paraqitën kërkesat e tyre. Gjyqtari që mori dhe masën e sigurisë ndaj tij i lejoi mediat vetëm disa minuta, më pas seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Mësohet se avokatja e Lekës, Klojda Dashi, përforcoi fjalët e klientit duke u shprehur se Leka vuan nga çrregullime mendore. “Pres një raport mjekësor nga SHBA-të që do të konfirmojë faktin”, - pohoi avokatja. Ndërsa prokurori u shpreh se “derisa të kemi përgjigjet e aktit të ekspertimit, i arrestuari të qëndrojë në qelitë e paraburgimit të 313-s”.
Përçartja
Fjalët e pakta që Leka tha, por jo shqip, por në gjuhën angleze në seancë, kanë qenë disa herë gjatë fjalës së prokurorisë që po lexonte akuzat. “Nuk kisha ndër mend të qëlloja njeri. Arma ime ishte bosh, pa plumba”, - pohoi Leka, që pak ditë më parë, pasi grabiti një filial banke në Tiranë, mori peng një kalimtare të rastit duke e mbajtur peng për mbi 30 minuta nën kërcënimin e armës. Por, trupi gjykues vendosi masën e arrestit me burg për Lekën duke i lexuar akuzat, por pa përfshirë ato për vrasje që pretendohen se janë kryer nga 25-vjeçari. Ndaj Romeo Lekës rëndojnë akuzat e grabitjes me armë, armëmbajtje pa leje, pengmarrje dhe heqje lirie e personit.
Precedentët
Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi Romeo Leka ka pasur precedentë të mëparshëm penalë, sidomos në Amerikë, ku ka jetuar prej disa vitesh si emigrant. Ai ka qenë i arrestuar për “trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, “vjedhje me armë”, "vjedhje banke” si dhe “posedim të armëve të zjarrit”. Por skedina kriminale ndaj Lekës vijon edhe më tej duke i shtuar edhe akuzën e vrasjes. Ai është deportuar nga Amerika në Shqipëri në gusht të vitit 2007 dhe ka jetuar te të afërm të tij në qytetet e Durrësit, Kavajës, Burrelit dhe Tiranës. Ndërkohë ai dyshohet edhe për disa vjedhje të tjera në Tiranë. Romeo Leka ishte kthyer në Shqipëri vetëm pak ditë më parë nga Greqia, ku mësohet se më 7 mars kishte vrarë me thikë Renato Krasniqin dhe plagosur Kleo Kacën. Pak ditë më parë Leka arriti të grabiste një filial banke brenda hotel “Rogner” në bulevardin e madh "Dëshmorët e Kombit". Por, ndërsa e ka kuptuar se policia po vinte ta arrestonte, ai është përpjekur të largohet duke mbajtur peng për rreth 30 minuta studenten Lorena Koreshi. Vajza u lirua nga RENEA, ndërsa autori përfundoi në qeli.
24 Mars 2010