E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis procesi ndaj 6 komisionerëve të komunës Portëz



FIER – Nis procesi gjyqësor ndaj komisionerëve të komunës Portës në rrethin e Fierit. Ditën e djeshme u zhvillua seanca e parë ndaj 6 anëtarëve të komisioneve të zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilët akuzohen për braktisje të detyrës. Pesë prej të pandehurve nuk kanë pranuar avokat mbrojtës. Ata kanë pretenduar se akuza për braktisje të detyrës është e pabazë dhe absurde, ndërsa pala mbrojtëse e njërit prej komisionerëve kërkoi të njihej me dosjen e çështjes. Pas kërkesës, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës deri në datën 1 prill. Gjashtë komisionerët përfaqësues të forcave të ndryshme politike të dy qendrave të votimit të fshatit Plyk dhe Kraps, që mbajnë përkatësisht numrat 3119 dhe 3120, janë Mane Goxhaj, Abedin Cobaj, Lefter Kallashi, Kastriot Hoxha, Tajar Behari dhe Riza Metaj. Ditën e zgjedhjeve dy qendrat e votimit nuk u hapën për shkak të protestës së banorëve për rikonstruksionin e rrugës që lidh fshatrat e tyre. Pak ditë më parë ata e konsideruan të padrejtë procesin gjyqësor ndaj komisionerëve, duke pranuar se ishin vetë banorët shkaktarë të moszhvillimit të procesit zgjedhor.

Luftë me armë mes pronarëve të kromit në Bulqizë

BULQIZË – Rikthehen konfliktet me armë mes sipërmarrësve të kromit në rrethin e Bulqizës. Burime në vendngjarje raportuan mbrëmë se janë dëgjuar të shtëna me armë në galerinë D të minierës së Bulqizës, të cilat kanë alarmuar minatorët. Sipas të dhënave, mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë një sherri mes pronarëve të firmave private që operojnë në minierë, sherr i cili, me sa duket, ka degjeneruar në armë. Në shënjestër të konfliktit ka qenë pronari i një firme shfrytëzuese kromi, shtetasi Astrit Tollja, i cili është kërcënuar me armë nga tre persona, konkurrente të tij.
Policia shoqëroi ditën e djeshme një person emri i te cilit ende nuk bëhet i ditur ndërsa janë vënë në kërkim edhe dy persona të tjerë.

Prangosen dy persona për pengmarrje

DURRËS – Dy persona janë prangosur për pengmarrjen e një shtetasi, i cili, pas disa orësh ka arritur që t’u ikë nga duart. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 12:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Ded Bushgjoka, 19 vjeç dhe Ndue Ndoj, 21 vjeç, lindur në Pukë, të cilët janë banorë të fshatit Dukagjin i Ri në rrethin e Krujës. Sipas tyre, arrestimi i të rinjve u bë sepse rreth orës 00.30 të datës 22 mars kanë ndaluar bashkëfshatarin e tyre shtetasin B. D., 21 vjeç dhe e kanë marrë me forcë (duke e goditur me dorezë hekuri në kokë e kërcënuar me armë zjarri automatik, duke qëlluar në ajër) me një automjet të rastit, ende të paidentifikuar. Burimet policore sqarojnë se dy të rinjtë e kanë transportuar pengun për në Kamzë, por ky shtetas ka mundur t’u ikë nga duart. “Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Ded Bushgjoka u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri, automatik model 56, të cilin ky shtetas e mbante pa leje”, - thotë policia. Ndaj dy të rinjve kanë nisur hetimet për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, armëve të ftohta si dhe të heqjes së paligjshme të lirisë.

Shpërthen bombola e gazit në hotelin pranë Kryeministrisë

TIRANË – Shpërthimi i një bombole gazi mes godinës së qeverisë dhe hotel “Rogner” ka shkaktuar panik për disa minuta. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në mjediset e kuzhinës së restorantit të hotelit luksoz. Plasja e saj ka shkaktuar zhurmë dhe alarmim të forcave të sigurisë së Kryeministrisë. Nga të dhënat zyrtare nuk ka raportim për asnjë të lënduar, me përjashtim të dëmeve të vogla materiale. Në momentin e shpërthimit ka pasur edhe 2-3 plasje të tjera në mjediset e brendshme të hotelit. Në mjediset e tij kanë shkuar brenda disa minutash forcat e policisë dhe një makinë zjarrfikëse.

24 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›