Gjykata lë në të njëjtën çati çiftet e divorcuara
Laureta Rryçi
Tiranë - Gruaja 35-vjeçare me inicialet M. N. nënë e tre fëmijëve ka më se pesë vite që ndan të njëjtën çati me ish-bashkëshortin e saj. Vendimin e gjykatës të pesë viteve më parë, ajo e parashikoi si përfundim të ditëve të dhunshme duke lënë jashtë jetës së saj jo vetëm bashkëshortin, që dinte vetëm të pinte, por edhe babain që s’ishte asnjëherë shembulli i mirë për fëmijët. Mirëpo, gjithçka shkoi ndryshe. Gjykata vendosi që fëmijët të qëndronin më të ëmën por duke qenë se pasuria e vetme e çiftit ishte ajo shtëpi atëherë ata duhet të jetonin në të njëjtën banesë. Çifti mund edhe ta shiste banesën mirëpo tanimë kanë kaluar pesë vite dhe ata sërish nuk e kanë gjetur blerësin e shumëdëshiruar për të dy. Pas pesë vitesh, drama sociale e kësaj familje që rezulton se nuk është e vetmja vetëm sa është thelluar më tej. 35-vjeçarja detyrohet t’i drejtohet sërish gjykatës, kësaj here për t’i lëshuar një urdhër mbrojtjeje. Ish-bashkëshorti i saj ushtron vetëm dhunë psikologjike të vazhdueshme por edhe dhunë fizike.
Një nga psikologet pranë kësaj gjykate tregon se rasti i 35-vjeçares është i ngjashëm me shumë e shumë çifte të tjera që vijnë për të gjetur një zgjidhje jo vetëm të martesës, në dyert e gjykatës.
Vendimet
Shifrat e frikshme për divorcet mes çifteve sa vijnë dhe rriten në kryeqytet. Po sipas tyre, në një ditë ndahen dy çifte. Avokatët që merren me këto çështje civile, tregojnë se pasojat e para bien mbi fëmijët, të cilët shpesh herë janë dëshmitarë të grindjeve të prindërve edhe në sallat e gjykatës. Sipas tyre, duke qenë se faktori ekonomik është një ndër arsyet që çon çiftet shqiptare drejt ndarjes së ligjshme për të vendimi i gjykatës vetëm sa shton konfliktet. Për ndarjen e pasurisë, konsiderohet si një ndër pikat më të nxehta të çifteve që s’para gjejnë gjuhën e përbashkët. Për këtë arsye në lidhje me pasurinë shpesh herë duhet të vendosë gjyqtari që gjykon çështjen. Duke qenë se rezulton që çifti ka vetëm shtëpinë atëherë iu lihet nga një dhomë dhe banjë me përdorim të përbashkët. Për momentin gjykata i lan duart me konfliktin e ish- bashkëshortëve, por pasojat ndihen në ditët në vazhdim. Kryesisht janë këto gra të cilat duke qenë se nuk i shpëtojnë dot dhunës së ish-bashkëshortit i drejtohen autoriteteve përkatëse për t’i mbrojtur. Megjithë këtë dhunë, sërish ato nuk kanë guximin t’i shkojnë deri në fund kërkesës së tyre për shkak se jetojnë në të njëjtën shtëpi. Shumica e padive të tilla pushohen nga gjyqtarët për shkak se asnjë nga gratë që pretendojnë se janë dhunuar nuk paraqiten në seancën e parë.
Përmbarimi
Zbatimin e vendimit, gjykata ia beson përmbaruesve. Me dhjetëra dosje për vite me radhë rezultojnë si të pazbatueshme nga Përmbarimi pikërisht për shkak të konflikteve mes çifteve të divorcuara. Në rastet më të pakta kur ata bien dakord të shiten banesën, vlera e kësaj të fundit shitet nën koston reale të një apartamenti në kryeqytet. Ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve, përmbaruesit tregojnë se shpesh herë ish-bashkëshortet tregohen të padrejtë duke mos pranuar të shesin pjesën e tyre të apartamentit. Sipas tyre ata veprojnë në këtë mënyrë për shkak se mendojnë se sërish ish-bashkëshortja e tyre dhe fëmijët do të jenë nën tutelën e tij. Pas divorcit, nënat që kanë në kujdestari edhe fëmijët e kanë shumë të vështirë të sigurojnë paratë e duhura për të mbijetuar apo për t’iu krijuar kushte fëmijëve. Për to shteti nuk parashikon asnjë ndihmë konkrete, ndryshe nga ç’ndodh në shtetet e huaja. Shtetet e huaja në rastet për divorc i japin prioritet në ndarjen e pasurive, nënave sidomos kur u lihet në kujdestari edhe fëmijët.
1350 është numri i padive që janë paraqitur në Gjykatën e Tiranës nga janari deri më sot kryesisht për konflikte mes çifteve
840 është numri i padive që janë paraqitur në Gjykatën e Tiranës nga janari deri më sot për zgjidhje martesë
250 është numri i padive që janë paraqitur në Gjykatën e Tiranës nga janari deri më sot për lëshim urdhër mbrojtjeje nga gratë e dhunuara
22 është numri i padive që janë paraqitur në Gjykatën e Tiranës nga janari deri më sot për ish-bashkëshortët që nuk paguajnë pensionin ushqimor të fëmijëve
Procedura që ndiqet në gjykatë për proces civil
Procesi gjyqësor civil zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Ai fillon në bazë të investimit që i bëhet Gjykatës nga një person fizik ose juridik. Të investosh Gjykatën do të thotë t'i drejtohesh asaj me një kërkesë e cila quhet padi dhe me të cilën kërkon mbrojtjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm, i cili është shkelur ose cenuar nga persona të tjerë. Personi që i drejtohet Gjykatës quhet paditës. Personi i cili ka shkelur ose cenuar të drejtën e pretenduar quhet i paditur. Gjykata, pasi njihet me padinë, kontrollon legjitimitetin e palëve. Të kontrollosh legjitimitetin e palëve do të thotë që të verifikosh nëse padia është ngritur nga personi të cilit i përket e drejta dhe nëse është ngritur ndaj atij që ka cenuar apo shkelur të drejtën. Pas kalimit të kësaj faze, gjyqtari bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes me pajtim. Kjo do të thotë që ai i fton palët të bisedojnë për të arritur një marrëveshje e cila do të zgjidhte çështjen, duke kënaqur të dyja palët dhe duke shmangur procedurat e mëtejshme gjyqësore. Në rast se kjo gjë arrihet, marrëveshja e pajtimit pasqyrohet në procesverbalin e seancës, i cili nënshkruhet nga palët dhe nga gjyqtari. Mbas kësaj gjyqtari jep vendim për miratimin e pajtimit. Në rast se çështja nuk arrihet të zgjidhet me pajtim, atëherë gjykata i fton palët të paraqesin pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim. Në seancë gjyqësore mbahet procesverbal në të cilin pasqyrohen shpjegimet e palëve, provat që merren si dhe vendimet dhe urdhrat që shpall Gjykata. Kryetari i seancës gjyqësore drejton hetimin gjyqësor dhe bisedimet e palëve në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Kur ndonjë nga palët bën vërejtje ndaj veprimeve të kryetarit ose të ndonjërit nga anëtarët e trupit gjykues, duke pretenduar se u kufizohen ose u shkelen të drejtat e tyre këto duhet të pasqyrohen në procesverbal. Gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor civil Gjykata me vendim lejon palët të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkimet dhe pretendimet e tyre, duke paraqitur në Gjykatë vetëm ato prova që janë të domosdoshme dhe që kanë lidhje me çështjen në gjykim. Në Kodin e Procedurës Civile njihen këto lloje provash: dëshmitarët, shkresat, filmat fotografike kinematografike dhe regjistrime të tjera, pohimet e palëve, këqyrja e personave, sendeve dhe këqyrja në vend, eksperimenti. Në rast se një provë rrezikon të zhduket gjykata merr vendim për sigurimin e saj. Në çështje për të cilat kërkohen njohuri të posaçme në fushën e shkencës teknikës e në fusha të tjera, gjykata vetë ose me kërkesën e palëve cakton ekspert. Gjykata pasi dëgjon palët dhe provat e paraqitura nga ato si dhe pasi shqyrton çështjen në tërësi merr vendim me të cilin e pranon tërësisht apo pjesërisht padinë si të bazuar në prova e në ligj ose vendos rrëzimin e saj si të pabazuar në prova ose në ligj. Ndaj vendimit të Gjykatës palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit gjatë shqyrtimit të çështjes mban parasysh, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë të parashikuara në Kodin e Procedurës civile. Me kërkesën e palëve ose edhe kryesisht Gjykata e Apelit mund të përsëritë tërësisht apo pjesërisht hetimin gjyqësor. Në shqyrtimin gjyqësor mund të lexohen aktet e gjykimit të shkallës së parë. Gjykata e Apelit ka të drejtë të marrë edhe prova të reja.
Kërkesë padi që paraqiten në gjykatë Masa e taksës në lekë
Për pension ushqimor pa pagesë
Për vërtetim fakti 3 000
Padi për zgjidhje martese 3 000
11 Qershor 2009