E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, 40 mijë maturantë sot në provimin e Matematikës



Rreth 40 mijë maturantë do të testojnë sot dijet e tyre për provimin e dytë të detyruar të Maturës, atë të Matematikës. Sipas Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), ky test do të ketë 25 pyetje, të cilat do të vlerësohen maksimalisht me 50 pikë. Lloji i testit me të cilin do të provohet nxënësi, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka përvetësuar në shkollën e mesme. Në përputhje me këto kritere, sivjet janë hartuar teste, në varësi të profilit të arsimit. Kjo, pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, janë të ndryshme për tipa të ndryshme shkollash. Është parashikuar që 60 për qind e tezës së provimit të jetë nga temat tashmë të shpërndara në programet orientuese për lëndët e provimit. Profili i shkollës së mesme do të specifikojë dhe llojin e testit që maturanti do të plotësojë në ditën e provimit. Po në varësi të profilit është detajuar dhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Bazuar në skemën hartuese për çdo linjë të përmbajtjes, do të përfshihen kërkesat e tri niveleve të vështirësisë, në raportet 2:2:1(duke filluar prej nivelit minimal).

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›