E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata liron Rezart Taçin nga burgu

Në përballjen e katërt me gjykatën, biznesmeni Rezart Taçi, i akuzuar nga prokuroria se ka goditur gazetarin Mero Baze, ka fituar lirinë, duke dhënë një garanci prej 100 mijë eurosh. Pas tre përballjeve të dështuara me Gjykatën e Tiranës, avokatët e Taçit kanë apeluar vendimin e gjyqtares Fahrije Budo me "arrest shtëpie", duke i kërkuar Apelit ndryshimin e saj, pasi klienti i tyre nuk kishte rrezikshmëri shoqërore dhe kishte respektuar institucionet e drejtësisë. Duket se ky fakt e ka bindur Kolegjin Penal të Gjykatës së Apelit të Tiranës të pranojë kërkesën e biznesmenit për liri.

Seanca
Seanca gjyqësore për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Rezart Taçi është zhvilluar dje në orën 09:00 në Gjykatën e Apelit. Trupi gjykues i përbërë nga Zegjine Sollaku, Fatos Qato dhe Edmond Islamaj ka hapur shqyrtimin gjyqësor të çështjes. Në fillim të seancës, gjyqtarja Zegjine Sollaku u ka bërë me dije palëve se për gjykimin e kësaj çështjeje ka konflikt interesi me të dëmtuarin Mero Baze, gjatë kohës që bashkëshorti i saj ishte Prokuror i Përgjithshëm. Gjyqtarja Sollaku ka hapur një çështje gjyqësore me gazetarin në fjalë. Sipas Sollakut, gjykimi i kësaj çështjeje mund të sillte njëanshmëri dhe konflikt interesi dhe ka paraqitur dorëheqjen. Disa çaste më vonë, gjyqtari Fatos Qato ka marrë fjalën dhe ka shqiptuar para të pranishmëve se kërkon dorëheqjen nga ky gjykim, pasi një i afërmi i tij është punëtor në bizneset e personit që kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë. Kërkesat janë depozituar pranë kryetarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, i cili ka pranuar argumentimet e gjyqtarëve dhe caktoi orën 15:00 të së enjtes për të zhvilluar seancën, duke organizuar edhe hedhjen e shortit. Shorti përcaktoi se tre gjyqtarët që do të gjykojnë kërkesën e biznesmenit Rezart Taçi janë Alaudin Malaj, Metush Saraçi dhe Edmond Islamaj.

Detyrim paraqitjeje
Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, treshja e Kolegjit Penal, që ishin caktuar për vlerësimin e masës së sigurisë, u paraqitën në sallë të gjyqit dhe u dhanë fjalën palëve në proces. Prokurori Dritan Peka kërkoi që masa e sigurisë ndaj tre të akuzuarve të mos ndryshonte, pasi ka prova që Taçi, Selfo dhe Lila kanë goditur gazetarin Mero Baze dhe kanë konsumuar elementët e veprës penale të "goditjes për shkak të detyrës". Ndërkohë, avokatët e Taçit, Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, i kërkuan gjykatës që të vendosnin ndaj tre klientëve të tyre masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje", pasi nuk kanë rrezikshmëri shoqërore. Ndërsa i kanë paraqitur trupit gjykues edhe 100 mijë euro garanci pasurore. Pasi dëgjuan pretendimet e palëve, trupi gjykues vendosi menjëherë lirimin e biznesmenit Rezart Taçi nga burgu dhe vendosjen ndaj tij të masës së sigurisë "detyrim paraqitjeje". Sipas gjykatës, Taçi duhet të paraqitet në Prokurorinë e Tiranës dhe të marrë kontakt me oficerët e policisë gjyqësore. Gjyqtarët kanë përcaktuar edhe orarin e detyrimit, i cili do të jetë çdo të hënë në orën 14:30. Gjykata ndryshoi edhe masën e sigurisë së Bledar Lilës, i cili do të hetohet në masën e "arrestit të shtëpisë", ndërsa la në burg vetëm Irgen Selfon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›