MekLaren, Xhenson Baton firmos Raikonen, pushim në vitin 2010
"Martesa" ndërmjet MekLaren dhe Xhenson Baton bëhet zyrtare. Piloti anglez, i cili u shpall kampion bote në vitin 2009, ka firmosur një kontratë që do ta lidhë me skuadrën për sezonet e ardhshme. "Akordi disavjeçar" është bërë publik nga "shigjetat e argjendta". "Nuk është asnjëherë e lehtë që të largohesh nga një skuadër pas shumë kohe. Fitova Botërorin me BraunGP dhe këtë nuk kam për ta harruar kurrë, por e kam thënë gjithmonë që kërkoja sfida të reja", shpjegoi 29-vjeçari. Në këtë mënyrë realizohet dyshja e pilotëve britanikë dhe Baton theksoi se nuk e sheh si problematike bashkëjetesën me Hemilton. "Është kënaqësi të garosh përkrah një tjetër kampioni anglez. Luis ka arritur suksese të jashtëzakonshme brenda një kohe të shkurtër, është një pilot i talentuar dhe ka fituar respektin e të gjithëve". Afrimi i Baton te MekLaren la jashtë Formula 1 Kimi Raikonen. Për sezonin 2010, finlandezi kërkonte vetëm skuderinë britanike dhe fakti që nuk arriti akordin ka bërë që të zgjedhë mos të jetë prezent në Botërorin e ardhshëm dhe për një sezon do t‘u përkushtohet garave "rally".