E Diel, 1 Nëntor 2026

Në selinë e PS, "regjia" e protestës

Një banderolë e vendosur në të majtë të hyrjes në hollin e selisë së Partisë Socialiste është e vetmja që të kujton për ditën e sotme, protestën e madhe të 20 nëntorit. Këto ditë, korridoret e saj kanë qenë po kaq të qeta, sa dhe në një ditë të zakonshme, duke krijuar nga ato situatat e qeta që pritet të shpërthejnë nga momenti në moment. Të gjithë po punojnë për protestën dhe qëllimi i vetëm është që secili të arrijë të sigurojë sa më shumë persona në shesh. Ndaj, kafet janë rralluar, po aq sa bisedat. Telefoni tringëllin më shpesh, si e vetmja rrugë komunikimi për t‘u informuar, ndërsa rreth e rrotull ndihet lëvizja e të rinjve. Janë kryesisht vullnetarë, të cilët duket se do të kenë një peshë të madhe në protestë, jo vetëm gjatë ditës, por dhe gjatë natës. Këta të fundit duket se janë më të angazhuar dhe besimi i disave është i fokusuar tek ata.

"Hë, do i përballoni dot tri ditë?", pyet një ndër militantët që e vizitojnë çdo ditë partinë. "I kemi marrë masat", përgjigjen të rinjtë, që duket se përbëjnë grupin që kryeson dhe drejton vullnetarët. Në katet e sipërme të selisë, herë pas here qarkullojnë deputetët e Qarkut të Tiranës, por edhe ata për një kohë mjaft të shkurtër. Vijnë, marrin të dhëna e udhëzime, pastaj direkt në terren. Prej angazhimit shumica janë optimistë, edhe pse deri diku pranojnë që as vetë s‘e dinë se deri ku do shkojë kjo protestë. E nëse i pyet se çfarë do ndodhë më vonë, aludimet janë të pafundme, por asgjë konkrete. Objektivi duket i qartë dhe afatshkurtër. Çdo minibashki në Tiranë ka për detyrë të sjellë një numër të caktuar mbështetësish në shesh. I njëjti rregull vlen edhe për njësitë e tjera vendore dhe për deputetët. Për ligjvënësit socialistë, mitingu është një gur prove përpara angazhimeve të partisë. Mes tyre nuk mungojnë skeptikët në lidhje me grumbullimin e mbështetësve nisur nga shtrirja kohore e protestës. Edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, qarkullon shpesh këto ditë në ambientet e selisë rozë, ndërsa herë pas here është shkëputur për të ndihmuar deputetët në zona të ndryshme të Tiranës, se si t‘i ftojnë qytetarët për protestë.

Dje ai u ndal në Kombinat, ku në bisedat me qytetarë e kalimtarë të rastit, Rama u bëri të ditur se përse duhet të jenë të pranishëm në protestë.

"Me paturpësinë më të madhe, por që fatkeqësisht e karakterizon, Sali Berisha kërkon t‘i bindë më kot shqiptarët se përpjekja jonë ‘liri e drejtësi‘ në këtë vend, duke filluar nga liria dhe drejtësia e zgjedhjeve, na qenka kundër vizave dhe kundër integrimit", tha Rama. Ai nënvizoi se "hapja e kutive është rruga drejt integrimit, është rruga për t‘u çliruar përfundimisht nga zgjedha e zgjedhjeve të deformuara, të kontestuara; është rruga për t‘i dhënë çdo qytetari dhe qytetareje dinjitetin e vet, duke mos guxuar më asnjë pushtet ta prekë aty ku fillon demokracia për secilin dhe aty ku liria fillon merr kuptim për secilin, tek e drejta për të zgjedhur ata që e qeverisin çdonjërin prej nesh", saktësoi Rama në këto takime. Dy ditë më parë, Rama u ndal te rruga "Komuna e Parisit", duke i ftuar qytetarët e zonës që të jenë pjesë e mitingut të madh të ditës së sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›