E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: S‘ka hapje kutish. Dule: Zgjidhje, ose zgjedhje

Politikani i opozitës, konkretisht kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i ka bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha që të iniciojë një kompromis historik me opozitën, por ka marrë menjëherë një refuzim të ashpër absolut. Kreu i qeverisë dhe i mazhorancës ka deklaruar dje në Kuvend se "nuk do të bëjë kurrë kompromis për zgjedhjet e 28 qershorit, edhe sikur ky koalicion të hipë në qiell apo në tokë. Nëse PS nuk vjen në Kuvend, do t‘i bëjmë reformat vetë".

Dule

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, duke e marrë fjalën në pjesën e diskutimeve të lira të Parlamentit, gjatë seancës së djeshme ka propozuar nisjen e një dialogu mes mazhorancës dhe opozitës. Duke iu drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, Dule ka deklaruar se "ju jeni një politikan që i keni ezauruar të gjitha postet. Ju nuk keni kompleksin e ndonjë deputeti këtu, që ka dilemën nëse do të jetë më ose jo te ndonjë ministri. Merrni iniciativa që mund të jenë edhe në dëmin e interesin tuaj, por që e fusin vendin në rrugën e kompromisit, pavarësisht kostos". Dule i ka sugjeruar Berishës që nëse nuk gjendet një kompromis, atëherë e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme. "Nëse nuk është kjo rruga, atëherë kemi dy qëndrime. Njëra thotë kemi zgjedhje të ndershme, tjetra thotë jo. Drejtojuni sovranit popull në një situatë të tillë. Zgjidhjet janë të pranishme, mjafton t‘i kërkojmë dhe të kemi vullnetin politik", tha kreu i PBDNJ-së.

Berisha

Kryeministri Sali Berisha nuk ka pritur për t‘iu përgjigjur politikanit opozitar, duke dhënë një mesazh të tërthortë për rivalin e tij, Edi Rama. Kreu i mazhorancës ka refuzuar çdo lloj kompromisi për rishikimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke marrë parasysh çfarëdo kostoje. Duke folur pas Dules, kreu i qeverisë deklaroi se "zgjedhjet e lira ishin motivi im më madhor se Kryeministria, Presidenca dhe çdo gjë tjetër. Kam shëtitur botën dhe të garantoj se në çdo rast kam pasur brengë që në vendin tonë nuk bëheshin zgjedhje të ndershme. I thuaj atij shefit të opozitës, i cili ka tre muaj që shan me të parë e të prapmë dhe që unë sërish në emër të disa parimeve të tjera i bëj ftesë. I thuaj atij shefit të opozitës, që ka tre muaj që shpif për pronat e Sali Berishës, kur ai ka vetëm një apartament. Çdo pronë tjetër i falet çdo shqiptari. I thuaj se mund të bësh ç‘të duash, por kompromis me zgjedhjet e certifikuara unë nuk do bëj".

Berisha më pas lëshoi deklaratën më të ashpër të bërë ndonjëherë deri më tani, pas zgjedhjeve parlamentare. Duke replikuar në distancë me liderin e opozitës, Edi Rama, Kryeministri Berisha deklaroi se koalicioni qeveritar me LSI-në do ta vazhdojë mandatin e tij me çdo kosto. Madje ka avancuar edhe më tej, duke thënë se "do t‘i kryejmë reformat institucionale edhe pa të majtën". Konkretisht, kreu i qeverisë deklaroi: "Së pari nuk dal kurrë nga vendimet e gjykatave, kategorikisht. Së dyti, të mos mendojë ai se më imponon koalicion apo kompromis historik, absolutisht. Në qiell e tokë të hipë e të zbresë, ky koalicion do ta përmbushë detyrimin ndaj shqiptarëve. Ai, në vend të fakteve, ka përdorur sharje. Le të vazhdojë t‘i bëjë dhe nga unë do vazhdojë të ketë vetëm ftesën për bashkëpunim. I kam bërë një paketë dhe urdhëro të ulemi. Përndryshe ne do vazhdojmë reformat".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›