E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi ndërmjetës për krizën, partitë "pro" dhe "kundër"

Kriza politike që ka përfshirë Parlamentin dhe rruga për zgjidhjen e saj ndajnë thellësisht partitë në qëndrimet e tyre. Disa prej përfaqësuesve politikë e shikojnë zgjidhjen te kalimi në zgjedhjet e parakohshme, ndërsa për drejtuesit e Partisë Demokratike, kriza as nuk ekziston fare. Ajo çka bashkon pjesën dërrmuese të deklaratave është se Presidenti ka një të drejtë të pamohueshme për të luajtur rolin e ndërmjetësuesit.

Gjinushi

Kryetari i Partisë Socialdemokrate u shpreh skeptik lidhur me rezultatin e një tryeze mes partive politike për të zgjidhur krizën. Pa fajësuar emrin e kryenegociatorit, por aktorët që negociojnë, Gjinushi vërejti se i rëndësishëm është rezultati i tryezës. "Marrëveshje janë bërë shumë edhe në 2006-2007 edhe në 2008-ën për Kodin Zgjedhor me Topin, por rezultati ka qenë negativ.

Qeveria duhet të pranojë kushtet e opozitës, sepse janë kërkesa legjitime. Rrjedhimisht duhet të ketë një negociator që mund të jetë Presidenti ose faktori ndërkombëtar. Ai mund ta bëjë mirë rolin e tij, por a ka rezultat?", shtroi pyetjen Gjinushi. Ai shtroi nevojën e një tryeze, pasi sipas tij ka shumë deklarata, dihet rezultati dhe kërkesat e opozitës, ndaj në këtë moment të rëndësishëm për integrimin e vendit, duhet menduar për një bashkëqeverisje. "Të ketë bashkëqeverisje, do të thotë që të mbështetet nga i gjithë Parlamenti. Është momenti i reformave të mëdha ndaj kjo qeveri duhet ta çojë vendin drejt zgjedhjeve lokale dhe të parakohshme", tha ai.

Milo

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale nuk beson se do të ketë një tryezë mes palëve, kjo për shkak të pozicionimit mjaft ekstrem që kanë marrë dy partitë. Referuar deklaratave të Ramës për të hapur domosdoshmërish kutitë dhe të Berishës që nuk do e lejojë, Milo sheh si zgjidhjen e vetme zgjedhjet e parakohshme. "Pozicionet e dy palëve në mënyrë ekstreme, të shprehura qartë nga PS që kërkon të hapë kutitë dhe Berisha që nuk do e lejojë, si zgjidhje ndërmjetme ku dy palët do ‘ruajnë nderin‘, janë zgjedhjet e parakohshme", tha Milo. Sipas tij, çdo lëshim që do të bënte njëra apo tjetra palë, nuk do ishte gjë tjetër veç një disfatë për secilën prej tyre. "Nëse Berisha lejon hapjen e kutive, atëherë do dalë në dritë e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe manipulimet e kryera prej tij. Nga ana tjetër, nëse kryetari i PS-së, Rama, do të tërhiqet dhe futet në Parlament, kjo do të thotë kapitullim për këtë parti dhe përgjegjësi e rëndë për vetë Ramën", deklaroi Milo.

Patozi

Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, mungesën e opozitës në Kuvend nuk e cilëson si një krizë politike mes dy partive kryesore, por si një krizë brenda partisë më të madhe opozitare. "Nuk ka krizë politike në Shqipëri. Në krizë është Partia Socialiste me hallet personale dhe problemet e kryetarit të saj, Edi Rama", tha ai. Kryetari i grupit parlamentar, Astrit Patozi, thotë se edhe Parlamenti nuk është në krizë, pavarësisht faktit që miratimi i ligjeve dhe reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët kërkon 84 vota në Kuvend. Pavarësisht ftesës ndaj opozitës për rikthim në Kuvend, Patozi nuk dha ndonjë detaj se në çfarë mënyre palët do të shkojnë drejt kompromisit. I pyetur nëse duhet të jetë Presidenti negociator mes palëve, apo vetë forcat politike duhet ta zgjidhin këtë çështje, nënkryetari i PD-së hodhi poshtë pretendimin se në Shqipëri ka krizë politike. "As Parlamenti nuk është në krizë. Ne do t‘i miratojmë të gjitha ato ligje me shumicë të cilësuar dhe do të vazhdojmë t‘i bëjmë thirrje PS-së të vijë në Kuvend", tha Patozi.

Mediu

Aleatët më të ngushtë të Kryeministrit Berisha, republikanët, i japin kreut të shtetit të gjitha kompetencat për të zgjidhur situatën politike në vend. Kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, tha se "Presidenti i ka të gjitha kompetencat për të zgjidhur situatën". Nga ana tjetër, kryetari Mediu ftoi opozitën të dëgjojë me vëmendje deklaratat e ndërkombëtarëve për futjen e tyre në Parlament. "Partia Socialiste duhet të tregohet e vetëdijshme që Kuvendit i duhet opozita në këtë moment historik", tha ai. Republikanët japin dy opsione, njëri që i jep Presidentit të drejtën për të zgjidhur situatën politike, dhe opsioni i dytë është që opozita të tregohet e vetëdijshme për të lexuar mesazhet e ndërkombëtarëve dhe të vijë e të ulet në sallën e Parlamentit për të bërë rolin e saj. Sipas kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, Kuvendit i duhet opozita.

Dule

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kërkon nga të gjitha institucionet të bashkëpunojnë për të zgjidhur konfliktin politik mes demokratëve dhe socialistëve. Pasi i bëri thirrje Kryetares së Kuvendit që të negociojë për krizën politike, kreu i PBDNJ-së kërkoi nga të gjithë faktorët të kontribuojnë për t‘i dhënë zgjidhje asaj. I pyetur nëse duhet të jetë Presidenti Topi negociatori mes palëve apo vetë forcat politike që duhet të gjejnë mes njëra-tjetrës gjuhën e përbashkët, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është i qëndrimin se "njëra nuk përjashton tjetrën".

Ngjela

Avokati i njohur dhe kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i qëndron idesë së hapjes së kutive, duke e cilësuar këtë rast si të panegociueshëm. Avokat Ngjela kërkon me domosdoshmëri hapjen e kutive, si faktorin e vetëm për të bindur opozitën se zgjedhjet ishin të ndershme dhe nuk u manipuluan. Qëndrimi i avokat Ngjelës është kundër ndërhyrjes së Presidentit për të zgjidhur krizën politike, pasi në rastin konkret, opozita e ka të shprehur qartë qëndrimin e saj për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit. "Presidenti nuk mund të ndërhyjë sepse njëra palë është e qartë në qëndrimin e saj për hapjen e kutive. Duhet të hapen kutitë, sepse janë vjedhur votat", tha Ngjela. Ngjela akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Kryeministrin Berisha, duke e bërë atë përgjegjës të asaj çka ai e cilësoi si vjedhje e votave më 28 qershor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›