E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, më shumë të akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit



TIRANË - Numri i personave të akuzuar për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” është në rritje, ndërkohë që dënimet për ta janë të lehta krahasuar me vepra të tjera penale. Statistikat e publikuara nga Gjykata e Tiranës tregojnë se për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë dërguar për gjykim rreth 30 persona, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i tyre ishte 21. Vihet re fakti se pjesa më e madhe e proceseve të tilla zgjidhen me pajtim mes palëve. Në jo pak raste, një pjesë e personave të akuzuar për veprën penale “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” janë femra, shifër kjo që vazhdon të ketë rritje nga viti në vit. Vetëm për këtë gjashtëmujor numri i femrave të akuzuara për këtë vepër regjistrohet në 8, katër prej të cilave kanë kryer aksidente me pasojë vdekjen. Masa e dënimit për personat që akuzohen për këtë vepër penale shkon deri në 10 vjet burg, kur aksidentet janë me pasojë vdekjen dhe me gjobë kur aksidenti është i lehtë. Gjobat e vendosura nga gjykata për të gjithë personat e arrestuar me këtë vepër penale variojnë nga 50 mijë lekë (të reja)- 500 mijë lekë (të reja). Nga statistikat e marra në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, mësohet se për vitin 2007 numri i personave të gjykuar për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” ishte 56, 15 prej të cilëve u dënuan me burg. Të regjistruara gjithsej ishin 68 çështje të tilla.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›