E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, rivotimi në 186 qendra



Komisioni shtetëror zgjedhor në Maqedoni ka vendosur që zgjedhjet në Maqedoni të përsëriten në 186 qendra votimi. Vendimi është marrë pas shqyrtimit të shumë ankesave të paraqitura nga partitë politike që morën pjesë në zgjedhjet e 1 qershorit. Procesi i rivotimit do të zhvillohet të dielën më 15 qershor. Shumica e ankesave u paraqitën nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim e drejtuar nga Ali Ahmeti, e cila ishte edhe partia që mori shumicën e votave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Por përkrahës të kësaj partie ishin ata që shkaktuan edhe incidentet me të shumta gjatë ditës së zgjedhjeve. Konkretisht BDI ka paraqitur 105 ankesa, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE paraqiti 48 ankesa, Partia Demokratike Shqiptare 13 ankesa, ndërsa pjesa tjetër e rivotimeve u kërkua nga partitë e tjera pjesëmarrëse në zgjedhje. Komisioni Shtetëror Zgjedhor bëri të ditur se në 186 qendra ku do të bëhet rivotimi janë vërejtur parregullsi, ndërkohë do të jepet së shpejti dhe numri i vendvotimeve ku u anulua tërësisht procesi, të cilat ndodhen kryesisht në zonat e banuara me shqiptarë. KSHZ mbyll ditën e ankimeve dje, ndërkohë që partitë politike të pakënaqura kanë drejtë të ankohen në gjykatën supreme brenda 48 orëve.
OSBE dhe organizatat e tjera monitoruese kanë bërë të qartë se do të vrojtojnë me shumë kujdes rivotimet e 15 qershorit, me të cilat Maqedonia duhet të vendosë në vend imazhin e dëmtuar nga zgjedhjet e 1 qershorit.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›