E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, sulmohet banesa e kryeministrit Thaçi



Persona të armatosur kanë sulmuar shtëpinë e kryeministrit kosovar Hashim Thaçi. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani gjatë një interviste për mediat. Sipas tij, sulmi ka ndodhur rreth orës 23.15 minuta të ditës së premte në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Mësohet se në momentin e sulmit në banesë ndodhej vetëm bashkëshortja dhe djali i kryeministrit, ndërsa vetë Hashim Thaçi ndodhej jashtë Kosovës për një vizitë private. Sipas policisë kosovare forcat e sigurisë së kryeministrit Hashim Thaçi kanë vënë re një person të dyshuar në tarracën e banesës dykatëshe të kryeministrit kosovar në përpjekje për t’u futur brenda në banesë. Pas paralajmërimit truprojat kanë qëlluar ne drejtim të personit i cili i është kundërpërgjigjur po me armë zjarri. Dyshohet se në sulmin ndaj banesës së Thaçit kanë marrë pjesë më shumë se një person. Menjëherë pas kësaj personat janë larguar në drejtim të paditur. Sipas të dhënave paraprake të bazuara në provat e mbledhura nga vendi i ngjarjes dyshohet se nga shkëmbimi me armë zjarri një nga sulmuesit është plagosur. Ende nuk dihen se sa persona kanë marrë pjesë në këtë sulm. Në një konferencë për shtyp, kryeministri Thaçi ka deklaruar se organet kompetente janë duke bërë të gjitha hetimet e nevojshme për të zbardhur ngjarjen dhe për të gjetur autorët e sulmit. Thaçi ka qenë shumë i rezervuar mbi ndonjë dyshim paraprak për autorët duke deklaruar se nuk kërkon të paragjykojë shkaktarët dhe autorët e sulmit. Ai është shprehur për mediat se ia ka lënë organeve kompetente që të kryejnë hetimet ndërkohë që siç u shpreh ai po përpiqet të krijojë unitet në skenën politike dhe mes qytetarëve. “Askush nuk na pengon në rrugën tonë drejt eurointegrimit”, - është shprehur Thaçi. Kryeministri është shprehur se organet kompetente do të kryejnë hetime të plota për këtë incident të rëndë. “Sulme të tilla, - tha kryeministri kosovar, - nuk mund të pengojnë punën dhe përpjekjet e qeverisë kosovare në rrugën për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”. Shërbimi policor i Kosovës ka mbledhur provat materiale në vendin e ngjarjes ndërsa po heton për motivet dhe autorët. Policia ka ngritur postblloqe ndërsa ka nisur kontrollin nëpër spitale dhe klinika ku dyshohet se mund të shkojë për mjekim njëri nga sulmuesit e shtëpisë së Thaçit, i cili është plagosur. Sulmi ndaj kryeministrit u dënua ashpër nga zëvendës kryeministri Hajredin Kuqi. Ai i konsideroi sulmin një akt kriminal që kalon kufirin e urrejtjeve. “Fakti se dikush ka dashur të dëmtojë kryeministrin dhe familjen e tij, për çfarëdo motivi, nuk është vetëm veprim kriminal, që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjeve, qoftë pa durimin apo urrejtjen politike”,-tha zëvendëskryeministri Kuqi. Ai tha se si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar shtimin e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët qeveritarë dhe bartësit e institucioneve të lira dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. “Kjo ngjarje është shumë serioze dhe dëshmon se ende ka persona të atillë që nuk e duan shtetin tonë të ri, ndërtimin e një shoqërie të lirë moderne e demokratike në të cilën sundon rendi dhe ligji”,-tha Kuqi lidhur me sulmin pa komentuar motivet e mundshme të kësaj ngjarje që u dënua nga autoritetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›