E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasjet përgjakin rrugët, një i vdekur dhe 13 të plagosur



KURBIN – Përplasjet e automjeteve në disa aksidente të ndodhura mbrëmë, brenda pak orësh, kanë përgjakur rrugët e vendit tonë, duke shënuar një bilanc tragjik, me 1 të vdekur dhe 13 të plagosur. Incidentet ndodhën në linjat rrugore Laç-Mamurras dhe Elbasan-Librazhd, ku në këtë të fundit dyshohet të jetë shkaktar një punonjës policie. Në aksin verior, një benz goditi një furgon udhëtarësh, teksa njëri prej mjeteve po i shmangej një grope në mes të rrugës. Për pasojë, një fëmijë 2 vjeç gjeti vdekjen dhe 6 të tjerë u plagosen, pjesa më e madhe e të cilëve anëtarë të familjes Biba, me banim në Adriatik të Lezhës. Ndërsa në rrugën Elbasan-Librazhd u plagosen 7 persona, ku tre prej tyre janë pjesëtarë të një familjeje.
Aksidenti në Sanxhak
Burime zyrtare të Policisë së Lezhës bëjnë të ditur se mbrëmë, rreth orës 20:00 gjeti vdekjen në një aksident automobilistik shtetasja Elona Biba, ndërsa janë plagosur rëndë prindërit e saj, Gjovalin dhe Donika Bina, si dhe dy vëllezërit, Roland dhe Altin Biba. Të lënduar në këtë aksident automobilist mbetën edhe shtetasit Paulin Mushuti dhe Adnan Cami. Aksidenti ndodhi mbrëmë, rreth orës 20:00, në aksin kombëtar Mamurras-Laç. Sipas zëdhënëses së Policisë së Lezhës, Eliona Nika, furgoni me traga LA 43 65A, që drejtohej nga shtetasi Paulin Mushuti, është përplasur me një benz me targa TR 9787 D, që drejtohej nga Adnan Cani. Të njëjtat burime saktësojnë se aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Sanxhak të Kurbinit, ku për pasojë ka mbetur e vdekur në vend 2-vjeçarja Elona Biba, si dhe janë plagosur rëndë dy prindërit e saj, Gjovalin dhe Donika Biba, si dhe dy vëllezërit e viktimës, Altin dhe Roland Biba, përkatësisht 11 dhe 5 vjeç. Të plagosurit e familjes Bina janë dërguar në Lezhë, ndërsa 2 drejtuesit e mjeteve të përplasura janë dërguar në spitalin e Laçit, pasi kanë marrë plagë të lehta. Policia nuk përjashton faktin se shkak i aksidentit mund të jetë bërë devijimi i njërit prej mjeteve nga një gropë në rrugë, gjë që ka sjellë përplasen fatale.
Përplasja në Murrash
Thuajse në të njëjtën orë një tjetër aksident i rëndë ndodhi në aksin Librazhd – Elbasan, në vendin e quajtur Murrash, ku tre makina janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar plagosjen e 7 pasagjerëve që ndodheshin brenda tyre. Burime policore pohojnë se kanë qenë pikërisht automjetet me targa TR 4615 H, FR 9968 B dhe TR 4926 D, të cilat janë përplasur nga shpejtësia me njëra-tjetrën, por ende nuk janë dhënë detaje të plota për këtë aksident. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Elbasanit, ku bëhen të ditur edhe emrat e tyre. Ata janë; Petraq Sina, 61 vjeç, Ruzhdie Sina, 54 vjeçe, Ahmet Palloshi, 36 vjeç, Eglantina Palloshi, 27 vjeç, Albi Palloshi, 3 vjeç, Sulejman Lika, 54 vjeç dhe Mire Lika, 53 vjeç. Nga burime spitalore mësohet se në gjendje më të rëndë shëndetësore është 61-vjeçari Petraq Sina. Nga të dhënat e para hetimore në vendngjarje dyshohet se shkaktar i përplasjes mes tre makinave mund të ketë qenë shtetasi Anorin Cano, punonjës policie në Komisariatin e Elbasanit. Sipas tyre, ai po i jepte me shpejtësi automjetit, gjë që ka sjellë përplasjen me pasojë 7 të lënduar.

TË AKSIDENTUARIT

MAMURRAS - LAÇ
Elona Biba - e vdekur
Gjovalin Biba - i plagosur
Donika Biba - e plagosur
Roland Biba - i plagosur
Altin Biba - i plagosur
Paulin Mushuti - i plagosur
Adnad Cami - i plagosur

LIBRAZHD -ELBASAN
Petraq Sina - i plagosur
Ruzhdie Sina - i plagosur
Ahmet Palloshi - i plagosur
Eglantina Palloshi - e plagosur
Albi Palloshi - i plagosur
Sulejman - i plagosur
Mire Lika, - e plagosur

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›