E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare dënojnë sulmin ndaj Thaçit



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur gjatë ditës së djeshme vizita pas sulmit ndaj banesës së tij nga presidenti i Republikës se Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ministra të qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe bartës të tjerë të institucioneve shtetërore.
Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast ka pranuar telefonata nga autoritetet e SHBA-ve, të BE-së, NATO-s, si dhe nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe nga shumë kryetarë të partive politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, si Edi Rama, Ilir Meta, Ali Ahmeti, Bardhyl Mahmuti, Bexhet Pacolli, Nexhat Daci, personalitete të shumta të jetës politike dhe publike të Kosovës etj. Të gjithë personalitetet shprehën shqetësimin e tyre për këtë akt kriminal, i cili i cilësua si akt i drejtpërdrejt ndaj personalitetit të tij, dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e dënoi ashpër sulmin ndaj shtëpisë së Kryeministrit Thaçi, duke e cilësuar këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj kryeministrit dhe familjes së tij, por edhe ndaj vetë institucioneve të Republikës. Përmes një deklarate për opinion sulmin e ka dënuar edhe Qeveria e Kosovës. Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga kryeministri që shqetësimin e tij t’ia përcjellë edhe familjes Thaçi. “Kërkojmë nga organet e rendit dhe të ligjit që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme, me qëllim që ky rast të zbardhet sa më parë, kurse personat e përfshirë në këtë akt të shëmtuar të vihen para organeve drejtësisë”,-theksoi presidenti Sejdiu. Sulmin ndaj Thaçit e ka dënuar përmes një deklarate për shtyp edhe qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga zëvendës kryeministri Hajredin Kuqi.
Si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar ngritjen e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët e Qeverisë dhe bartësit e institucioneve të lira dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky sulm është dënuar edhe nga partia kosovare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka kërkuar nga organet e rendit që urgjentisht të zbardhin këtë rast kriminal në mënyrë që kryesit e kësaj vepre të nxirren para drejtësisë.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›