E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata merr në rishqyrtim cështjen për Mulosmanin

Gjykata ka marrë për rigjykim çështjen penale në ngarkim të Jaho Mulosmanit, i cili akuzohet për vrasjen e shtetasve, Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti. Mulosmani vuan dënimin me burg të përjetshëm si një nga autorët e vrasjes së Azem Hajdari. 

TIRANE- Gjykata e Tiranës ka marrë për rigjykim çështjen penale në ngarkim të Jaho Mulosmanit, i cili akuzohet për vrasjen e shtetasve, Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti, në vitin 1999 në Tropojë.
Çështja në fjalë ndaj Mulosmanit, i cili vuan dënimin me burg të përjetshëm si një nga autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari, më 12 shtator të vitit 1998 në Tiranë, është regjistruar në gjykatë para dy ditësh dhe do të shqyrtohet së shpejti nga një trup gjykues, që do të drejtohet nga Petrit Çomo.

Vendimi për rigjykimin e çështjes në ngarkim të Mulosmanit është marrë pak kohë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila vërejti shkelje proceduriale të kryera gjatë shqyrtimit të saj në shkallët më të ulëta të gjyqësorit. Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas ajo e Apelit e kishin shpallur fajtor dhe dënuar me burg përjetë Jaho Mulosmanin për vrasjen me armë zjarri të shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurtit në vitin 1999 në qendër të Bajram Currit. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja e rëndë kishte për motive hakmarrjen.
(e.n/News24/BalkaWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›