E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Fier: Do ndërtojmë Ministri për fshatin

PS nëse vjen në pushtet pas 28 qershorit do të përjashtojë nga taksat dhe tatim fitimi të gjitha bizneset e reja agro-industriale për një periudhë 3 vjeçare. Ndërkohë që parashikon ngritjen e një ministrie të veçantë për fshatin. 

FIER- Partia Socialiste nëse do të qeverisë pas 28 qershorit do të përjashtojë nga Tatim Fitimi dhe çdo taksë tjetër të gjitha bizneset e reja agrare në tre vitet e para. Ndërkohë që do të ngrejë një ministri të veçantë vetëm për fshatin, strukturë kjo që do të mbledhë të gjitha hallkat e këtij sektori dhe jo siç është vepruar deri më sot ku kompetencat delegohen nga një ministri në tjetrën.
Këto janë disa nga pikat më të forta të programit të socialistëve për fshatin të zbërthyera në një takim që kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar me banorët e komunës së Gërcallisë në Fier. Rama foli përpara të pranishmëve për politikat e reja në favor të bizneseve të reja agroindustriale duke premtuar se Partia Socialiste do të qeverisë bashkë me qytetarët.

“Bizneset agrare të reja, ne do ti përjashtojmë nga çdo Tatim Fitimi dhe çdo taksë në tre vitet e para. Nuk do ta qeverisim fshatin nga kuria e televizorit, nuk do ta qeverisim fshatin nga salla e parlamentit, nuk do ta qeverisim me fjalime e me gënjeshtra, por do ta qeverisim fshatin bashkë këtu duke bërë të mundura gjëra që sot duken padrejtësisht të pamundura”-tha kryesocialisti Rama.

Rama prezantoi me detaje se çfarë do të ndryshojë në fshat me këtë program të ri dhe ngritja e një ministrie të veçantë për fshatin siç u shpreh ai do ti japë fund sorollatjeve dhe problemeve për këtë sektor që kalonin nga një ministri në tjetrën.

“Gjëja e parë që ne do të bëjmë është se do të ndërtojmë një strukturë tërësisht të re, një ministri të veçantë për fshatin që do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural dhe që do të adresojë problemin e madh të rimëkëmbjes së fshatit duke e parë si një potencial jo vetëm të jashtëzakonshëm por edhe të pafshrytëzuar me vetëdijen se nuk mund të ketë një Shqipëri Europianë që ushqehet normalisht në rast se nuk ka një fshat shqiptarë që prodhon në kushte normale”- tha Rama.

Rama garantoi fermerët se programi i Partisë Socialiste nuk është një mal me premtime të pambajtura përkundrazi siç u shpreh ai është një instrument i detajuar për të qeverisur të nesërmen e fitores më 29 qershor.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›