E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi pret ministren britanike: Partneritet mes dy vendeve

Presidenti Topi priti sot ministren britanike për mbrojtjen ndërkombëtare, Ann Tejlor. Gjatë këtij takimi Topi dhe Tejlor siguruan vazhdimin e partneritetit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve. 

TIRANE- Ministrja britanike për mbrojtjen dhe sigurinë ndërkombëtare, baronesha Ann Tejlor është takuar sot me Presidentin, Bamir Topi.

Kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen e Britanisë së Madhe gjatë procesit te anëtarësimit në NATO, duke garantuar se Shqipëria do të kontribuojë me seriozitet dhe besnikëri në çështje të sigurisë sa rajonale, aq dhe globale.
Duke e njohur Ministren Britanike me disa prej zhvillimeve më të fundit të brendshme në Shqipëri, Presidenti Topi u ndal në hapat që po ndërmerren në vend në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, duke theksuar se këto zgjedhje do të jenë tregues i dukshëm i një stabiliteti të konsoliduar politik në vend dhe si kriter me rëndësi për kandidaturën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Topi shprehu interesimin për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe parashtroi kërkesën për më shumë shkëmbim përvojash në drejtim të sigurisë dhe mbrojtjes në vend.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baronesha Tejlor vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon e më gjerë, duke siguruar vazhdimin e partneritetit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer mes vendeve tona.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›