Gjykata miraton divorcin e deputetit të PS, Artan Gaçi

Deputeti i PS, Artan Gaci
TIRANE Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, i dha dje fund zyrtarisht martesës së tij disavjeçare. Pas gjashtë seancash shqyrtimi gjyqësor, gjyqtari Ardian Kalia pranoi kërkesën e deputetit Gaçi për zgjidhje martese nga bashkëshortja e tij, Pranvera. Kërkesa e deputetit për divorc ishte depozituar në gjykatë në tetor të vitit të kaluar. Gjykata vendosi pranimin e kërkesë-padisë, thuhej në dispozitivin e vendimit të shpallur dje pak pas mesditës. Burime pranë Gjykatës bënë me dije se, me kërkesë të palëve, martesa u zgjidh pa përcaktuar fajësi. Po sipas vendimit, dy fëmijët e ardhur në jetë nga kjo lidhje martesore i janë lënë për rritje dhe edukim nënës së tyre. Në vendim gjykata urdhëronte deputetin Gaçi që të paguajë një tarifë mujore nga 50 mijë lekë për çdonjërin prej fëmijëve. Sipas burimeve, u mësua se gjatë gjykimit, shuma e kërkuar nga nëna e fëmijëve ishte 25 mijë lekë më shumë se ajo e miratuar nga gjykata. Deputeti Gaçi trokiti për divorc në Gjykatën e Tiranës më 14 tetor të vitit të kaluar. Ai ishte në rolin e paditësit në një kërkesë-padi që kishte si objekt zgjidhje martese, lënie e fëmijëve për rritje dhe edukim. Seanca e parë e këtij gjykimi u zhvilluar më 9 dhjetor 2011, ndërsa gjithë shqyrtimi i kërkesës zgjati gashtë seanca gjyqësore. Burime jozyrtare bënë me dije në nisje të këtij gjykimi, se deputeti Gaçi dhe bashkëshortja e tij jetonin prej disa kohësh të ndarë nga njëri-tjetri. Shkak për jetesën e veçuar u mësua të kenë qenë disa mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. ar.ba