E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Gjykata: 40 ditë burg Ferhatit, e kërkon Interpoli

Ergys Ferhati

TIRANE Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë arrest me burg me afat 40 ditë për Ervin (Ergys) Ferhatin, i cili pretendoi se e kishte vuajtur dënimin për të cilin kërkohej nga Italia. I arrestuar të martën në Tiranë për llogari të Drejtësisë italiane, Ferhati, i konsideruar edhe si bashkëpunëtor dhe mik i Emiljano Shullazit, pohoi në sallën e gjyqit se i kishte mbyllur hesapet me shtetin fqinj. Unë e kam kryer dënimin për të cilin më kanë arrestuar, mësohet të jetë shprehur Ferhati nga qelia e sallës së gjyqit, duke iu referuar dënimit që përfundoi në gusht të vitit të kaluar. Sipas tij, arrestimi i tij nga forcat e policisë ishte i gabuar, pasi i vetmi urdhër arresti ndaj tij ka qenë ai që e prangosi gjatë operacionit Identikit. Por, pretendimet e Ferhatit dhe të avokatit të tij mbrojtës nuk e kanë bindur gjyqtaren Farije Budo. Në përfundim të seancës ajo vendosi lënien e tij në qeli për 40 ditë, kohë gjatë së cilës pritet të kryhen procedurat e ekstradimit. Vendimi i gjykatës ishte në pranim të kërkesës së shprehur me herët nga ana e përfaqësuesit të Prokurorisë në proces. Ervin Ferhati, i njohur së tepërmi si Ergys Ferhati, u arrestua të martën teksa ishte duke pirë kafe në një nga lokalet në zonën prapa Muzeut Kombëtar në Tiranë. Në një deklaratë për shtyp pas prangosjes së tij, policia tha se 32-vjeçari Ferhati ishte në kërkim nga Interpol Roma për veprat penale të pastrimit të parave, trafik narkotikesh dhe shfrytëzim prostitucioni. Sipas Policisë, për këto akuza ai është dënuar në mungesë nga Drejtësia italiane me 20 vjet burg. Pas dënimit të dhënë në mungesë ndaj Ferhatit nga Drejtësia italiane, urdhër-kërkimi ndërkombëtar i është përcjellë Interpolit. Bazuar në informacionet operative për vendndodhjen e tij në Shqipëri, Ervin Ferhati është kërkuar e gjurmuar në Tiranë nga policia, ndërsa tri ditë më parë ra në pranga teksa pinte kafe pranë qendrës së kryeqytetit. Menjëherë pas arrestimit ai ka këmbëngulur se prangosja e tij është e gabuar pasi i ka shlyer dënimet e dhëna ndaj tij. Ndërkohë, nga Prokuroria thuhet se mandati i arrestit, i lëshuar nga Interpoli italian ndaj Ferhatit, nuk është ezauruar, por duhet të zbatohet. Për shkak të zgjatjes së procedurave të ekstradimit, prokuroria kërkoi 40 ditë burg, masë e cila u la dje në fuqi nga gjykata deri në plotësimin e dosjes penale me dokumentet përkatëse.                               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›