E zhdukur në Tiranë, e mitura: Më përdhunoi

Drejtoria e Policisë Tiranë
Kapet 27-vjeçari, kreu marrëdhënie seksuale me vajzën në Durrës.
Nëna denoncoi largimin e 13-vjeçares nga banesa.
Një i ri 27-vjeçar u arrestua dje nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë 13 vjeçe, nxënëse e klasës së shtatë. Ngjarja, sipas Policisë, ka ndodhur në një banesë me qira në Durrës, ku jetonin 3 studentë nga Tepelena, shokë të të arrestuarit, i cili është Luan Merkohasani. Sipas Policisë, i dyshuari e ka mbajtur vajzën më shumë se 24 orë larg familjes së saj, që banon te blloku i pallateve 1 Maji dhe gjatë kësaj kohe prindërit e së miturës nuk kishin asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Pasi kanë pritur për disa orë rikthimin e vajzës në shtëpi, familjarët kanë vendosur ti drejtohen policisë. E mitura Anxhela B. ishte denoncuar si e humbur nga nëna e saj, Enverie B., mëngjesin e së mërkurës. Nëna i është drejtuar Komisariatit Nr. 2 të Policisë së Tiranës, ku shpjegonte se e bija që prej së martës, pasi kishte mbaruar mësimin në shkollën 9-vjeçare Emin Duraku, nuk ishte kthyer më në shtëpi. Menjëherë pas denoncimit të saj, policia ka nisur hetimet për zbulimin e vendndodhjes së të miturës dhe disa orë më pas vajza është gjetur në afërsi të sheshit Rilindja, te Rruga e Durrësit, në kryeqytet. Vajza është shoqëruar fillimisht në shtëpinë e saj, më pas, bashkë me të ëmën dhe prezencën e një psikologeje, është marrë në pyetje për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes.
DYSHIMET PER PERDHUNIM
Në prezencën e nënës dhe psikologes, gjatë intervistimit në polici, vajza e mitur ka treguar se fillimisht është larguar me dëshirën e saj me 27-vjeçarin Luan Merkohasani. Më pas ajo e ka pasur të pamundur të kthehet vetëm në shtëpi, pasi ndodheshin në Durrës dhe djali nuk ka pranuar ta kthejë. Gjithashtu ajo e ka akuzuar të riun se ka kryer marrëdhënie seksuale jashtë dëshirës së saj, pasi ai e ka detyruar. Nga ana tjetër, i arrestuari Luan Merkohasani, nga Tepelena dhe banues te Kodra e Priftit në Tiranë, e ka mohuar akuzën e vajzës. Ai ka pranuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me 13-vjeçaren, por ajo ka qenë dakord dhe asgjë nuk ka ndodhur jashtë dëshirës së saj. Për këtë arsye, deri në përfundim të aktit të ekspertimit mjekoligjor për zbulimin ose jo të shenjave të dhunës ndaj vajzës që pretendon se është përdhunuar, policia paraprakisht ka vendosur arrestimin e Merkohasanit vetëm për akuzën marrëdhënie seksuale me të mitura.
DENONCIMI
Mëngjesin e së mërkurës, rreth orës 08:00, në Komisariatin Nr. 2 ka bërë kallëzim Enverie B., banuese në rrugën Njazi Demi, te pallatet 1 Maji në Tiranë, e cila tregonte se më 10 prill 2012, rreth orës 13:00, i është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer vajza e saj e mitur, Anxhela B., 13 vjeçe, nxënëse në shkollën Emin Duraku. Menjëherë policia bëri shpalljen e saj në kërkim policor dhe rreth orës 17:00 të ditës së mërkurë, vajza u gjet në afërsi të sheshit Rilindja në Rrugën e Durrësit.
Një vajzë tjetër vetëlargohet
Një tjetër vajzë është denoncuar të mërkurën në Komisariatin Nr. 3 si e humbur. Kozeta S., banuese te rruga Jordan Misja, ka kallëzuar në polici se vajza e saj 20-vjeçare, Beglije S., kishte 24 orë që nuk kthehej në shtëpi dhe nuk kishte lajmëruar. Vajza është gjetur nga policia në praninë e të dashurit të saj, Bernadr K. dhe gjatë marrjes në pyetje është shprehur se është larguar nga banesa për arsye të frikës nga babai i saj, pasi ka lidhje dashurie me personin me të cilin ishte.
ETLEVA DELIA