Gjykata miraton gjykimin e shkurtuar për Jakën
TIRANË- Shtatë të pandehurit e akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, shumica e të cilëve ish-zyrtarë të drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, do të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Ky vendim u mor nga treshja gjykuese, e kryesuar nga gjyqtari Martin Deda, pasi prokurori i çështjes dorëzoi dosjen penale me dëshmitë e rreth 20 dëshmitarëve të pyetur për këtë çështje. Kërkesa për gjykimin e dosjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar u bë nga mbrojtësit ligjorë dhe vetë të pandehurit, të cilët pranuan provat, por jo akuzën e ngritur nga prokuroria. Pas pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar, prokurori i çështjes, Ardian Braho, lexoi kërkesën për gjykim, duke renditur akuzat për ish-zv.ministrin Nikolin Jaka dhe të të pandehurit e tjerë. Sipas prokurorisë, të pandehurit u arrestuan në shtator të vitit të kaluar, në operacionin e Task-Forcës i koduar "Duart e pastra", ku gjashtë prej tyre akuzohen për veprat penale, të "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", ndërkohë që për Nikolin Jakën prokuroria ka ngritur vetëm akuzën e "ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike". Hetimet ndaj këtij grupi u kryen një hark kohor prej 6 muajsh, ku u grumbulluan prova dhe fakte të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat e mësipërme të ngritura në adresë të tyre, në bazë të tëcilave ata rezultojnë të përfshirë në veprimtari korruptive me vlera të konsiderueshme, kundrejt favorizimit të paligjshëm të shoqërive pjesëmarrëse në prokurimet publike të kryera në këtë institucion. Të pandehurit: Nikolin Jaka, Bashkim Kamberi, Arjan Sheti, Ilirjan Berzani dhe Xhevahir Muçogllava, ndodhen në qelit e paraburgimit bashkë me dy biznesmenët Skender Bokciu e Isuf Ukperaj. Ndërsa, Alban Qafa dhe Enton Resuli janë lënë të lirë, sepse ndaj tyre nuk janë gjetur prova të mjaftueshme apo dyshime që ata mund t'i shmangen hetimeve dhe gjykimit.