E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kushtetuta, drafti i PD presion direkt mbi deputetët”

• Sabri Godo është skeptik ndaj ndryshimeve të paraqitura nga Partia Demokratike për Kushtetutën.

ADI SHKEMBI

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, një nga hartuesit e Kushtetutës flet për kundërfirmimin e dekreteve të Topit nga ana e Berishës, si dhe për mocionin e Kryeministrit, të cilin e quan presion mbi deputetët.
Zoti Godo, PD ka paraqitur disa propozime për ndryshimin e Kushtetutës për sa i përket kapitujve të Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Konkretisht në rastin e presidentit, nëse në 4 raundet e para nuk zgjidhet Presidenti me 3/5 e votave, në raundin e 5 ai zgjidhet me 71 vota. Si i gjykoni këto ndryshime?
Së pari, duhet të them që unë ashtu si shumë të tjerë morëm njoftim nga gazeta juaj. Mua më rezulton se PD-ja ende nuk ka paraqitur formalisht një paketë të saj për ndryshimet kushtetuese dhe se ky diskutim atje është hapur krejt rastësisht dhe është mbrojtur nga zonja Trashani. Duhet të bëjmë durim dhe të presim deri sa kjo të formalizohet.
Gjithsesi, PD i ka paraqitur këto ndryshime në komisionin e Ligjeve…
Deputetët tanë pjesëmarrës më thonë se, është paraqitur rastësisht dhe nuk ka qenë në rendin e ditës. Ishte një befasi. Në një vështrim të parë të këtyre ndryshimeve që kërkohen ka gjëra, që duhen pranuar dhe për të cilat kemi rënë në një mendje të gjithë që më parë. Nuk ka pse të kalojë vendi në krizë për zgjedhjen e Presidentit, kështu që në raundin e pestë mund të hyjë në fuqi mekanizmi i 50% të votave +1. Këtë e kanë adoptuar shumë vende që kanë ndeshur në të njëjtën vështirësi. Ose fjala vjen përcaktimi i mandatit të prokurorit. Më duket se janë diskutuar gjerësisht dhe është koha të kalojnë. Por unë gjithmonë kam ngulur këmbë që ato ndryshime, që duhen bërë në Kushtetutë dhe që i dikton koha, duhet të përmblidhen në një paketë dhe kjo nuk mund të hidhet nga dikush në mënyrë krejt të befasishme në Parlament, të kalojë në komision, të votohet etj. Nuk veprohet kështu për të ndërhyrë në Kushtetutë. Duhet që më parë të bëhet një debat i lirë. Kushtetuta nuk është e PD-së as e PS-së dhe e as e të dyjave së bashku. Eshtë Kushtetutë e të gjithë shqiptarëve, prandaj asnjë nuk mund të marrë të drejta të tilla, për të vepruar në mënyrë arbitrare.
Një tjetër ndryshim i propozuar ka të bëjë me dekretet e kreut të shtetit. Konkretisht, sipas PD-së, dekretet e nxjerra nga Presidenti duhet të marrin në fillim firmën e Kryeministrit ose ministrit përgjegjës dhe më pas të kalojnë në parlament...
Me sa pashë unë, vetëm dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, mbetet tagër i Presidentit, të gjithë të tjerët duhet të kundërfirmohen. Unë nuk e di se si do të mund të funksiononte Presidenca në këtë rast. Ky është një ndryshim thelbësor që i bëhet Kushtetutës. Do të kemi një president, që nuk ka një vullnet të tijin të vendosë për çështjet që i shtrohen në tryezë, por duhet me doemos të marrë edhe pëlqimin e dy partnerëve të tjerë dhe kjo nuk mund të funksionojë. Ne kemi një balancim të pushteteve dhe balancimi pikërisht këtë kërkon. Po u prish kjo balancë prishet shteti. Kështu që kjo është shumë e diskutueshme. Por si për këtë dhe për gjërat e tjera mua më thonë se dikush i është referuar Kushtetutës gjermane. Mund të jetë edhe kështu. Nuk e njoh Kushtetutën gjermane, por njoh Shqipërinë. Them që ne të bëhemi si Gjermania duhet të fillojmë të punojmë fort që sot dhe të shohim nëse e arrijmë pas 20 vjetësh. Kështu që s’mund t’i referohemi apriori kushtetutave të çdo vendi dhe të themi që meqë e kanë këta dhe janë një vend i përparuar kjo bën dhe për ne. Në këtë stad që jemi, ne duhet të kemi një Kushtetutë dhe ligje që na përshtaten vetëm ne. Po të dalim jashtë kësaj kornize, veçse do të biem në hapësirë.
Këto dy ndryshime përsa i përket kapitullit të Presidentit duket se e fuqizojnë shumë maxhorancën...
Kjo është të ecësh pa mend, sepse nuk e ke të garantuar se do të jesh përjetë në maxhorancë dhe që do të jesh përjetë në pushtet. Nesër kur të ndërrosh vendet dhe nga pozita të kalosh në opozitë, të gjitha ato që bën sot do të të bien mbi kokë. Them që propozime të tilla nuk janë menduar në perspektivë të gjatë të zhvillimit të vendit, por janë diktuar nga disa koniunktura politike të sotme ose nga interesa personale. Në këtë përfundim mund të arrij njeriu në vështrim të parë, por nuk ngutem të shfaq një mendim definitiv, derisa nuk kam parë një propozim formal të PD-së ose dikujt tjetër.
Dy pika të tjera që janë shumë të diskutueshme në kapitullin e Kryeministrit ndryshojnë tërësisht rrjedhën e ngjarjeve për sa i përket mocionit të besimit dhe mosbesimit ndaj kreut të qeverisë?
Dashur pa dashur ju më tërhoqët mua në këtë diskutim dhe duhet të shfaq mendimin deri në fund. Them që kjo nuk është mirë. E thënë në fjalë më të thjeshta do të thotë që, ose do të jem unë Kryeministër ose ky parlament shpërndahet dhe ky është një presion direkt që bëhet mbi deputetët. Unë them se është tërësisht jashtë logjikës të thuash që, në qoftë se nuk votohet Kryeministri që është në fuqi dhe paralel me këtë votim nuk votohet Kryeministri i ri, gjë që nuk ka të ngjarë, shpërndahet Parlamenti. Normalisht në çdo vend të botës, Presidenti ka të drejtë që në rast se një Kryeministër nuk merr shumicën e votave gjatë një votëbesimi, pavarësisht është mocion besimi apo mosbesimi, kryetari i shtetit ka të drejtë të emërojë një kryeministër tjetër dhe doemos që do e marrë nga shumica. Do ta marrë nga e njëjta parti që deri në atë moment ka mbajtur pushtetin. Mund të ketë kontestime për një individ, por nuk është e thënë që kjo përfshin gjithë forcën politike që përfaqëson ai. Kështu mund të propozojë një kryeministër tjetër dhe në rast se prapë nuk arrin të zgjedhësh një Kryeministër pas disa tentativave siç bëhet në çdo vend të botës, atëherë mund të kalohet në shpërndarje të Parlamentit. Ndryshe unë nuk di se si mund të thuash që kemi një Parlament që funksionon mbi parime demokratike.
Lidhur me reformën zgjedhore, PS-së ka paraqitur një draft ku propozon sistem proporcional rajonal, ndërkohë që nga ana tjetër PD shton në këto propozime edhe shkrirjen e KQZ-së. Si i shikoni këto propozime të dy partive të mëdha?
Reforma zgjedhore është një telash i madh. Rajoni proporcional që kërkohet të bëhet do të fusë në siklet të tërë vendin, sepse është një sistem i panjohur. Kjo bëhet gjoja në emër të asaj që të evitohet Dushku. Por Dushku mund të evitohet edhe me ligjin e sotëm ose edhe me një sistem proporcional kombëtar, nëse zgjedhësit i tregohet personi dhe forca politike për të cilën voton në një fletë të vetme. Këtu përjashtohet kategorikisht çdolloj Dushku. Më duket se preteksti nuk qëndron. Kjo reformë kërkon një diskutim në komisionin që ka ngritur parlamenti dhe s’ka pse mënjanohet ai dhe të kalohet në komisione të tjera dhe të ndiqen forma të tjera. Kjo s’më duket se na çon në atë që të rehatohen më në fund shqiptarët. Përsa i takon zgjedhjeve nuk kanë mundur ta zgjidhin asnjëherë si duhet me përjashtim të 1992 gjatë tërë viteve të kaluara. Ose duhet të kapërcejmë këtë, ose duhet të themi se kemi dështuar në politikë, jemi të paaftë të bëjmë një gjë të mirë për veten tonë dhe pas marrjes së ftesës për në NATO do ishte një penalizim mjaft i rëndë për vendin. Palët duhet të mendohen dhe të ecin sipas një logjike të qartë të gjërave. Më parë palët që janë në debat të bien në ujdi brenda tyre. E djathta me koalicionin e vet të përpiqet të arrijë në një qëndrim të përbashkët. Të njëjtën gjë mbase mund të bëjë për llogari të saj e majta dhe atëherë të kalohet në debatin ballafaques mes palëve. Këtu duket se më tepër po lëvizin individët se sa forcat politike dhe e gjithë kjo s’mund të ketë një përfundim të mirë.

“Nëse miratohet drafti, Topi të nisë luftën në PD”
Kreu i LDK-së, Nikollë Lesi ka dalë kundër ndryshimeve të paraqitura nga Partia Demokratike për Kushtetutën. Duke u ndalur në pikën ku kërkohet që, dekreti i nxjerrë nga presidenti të firmoset paraprakisht nga Kryeministri ose ministri përgjegjës, Lesi thotë se nëse ky ndryshim do të miratohet, atëherë Topi duhet të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit dhe të kthehet e të nisë luftën me segmente të PD-së. “Nëse do të bëhen realitet këto propozime të PD, do t’i kërkoja Topit, i cili deri në këto momente është politikani më popullor në Shqipëri të japë dorëheqjen nga president i republikës dhe të kthehet në gjirin e PD-së dhe të luftojë disa segmente kriminale, që po i marrin frymën dhe jetën maxhorancës. Nëse pranon t’i kufizohen kompetencat kushtetuese, çfarë autoriteti ka Bamir Topi?”, theksoi Lesi. Sipas tij, ndryshimet e propozuara dje nga PD për zgjedhjen e Presidentit, bien ndesh me frymën e 3 korrikut. Ai rikujtoi se Kryeministri Sali Berisha, është shprehur për zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe jo me shumicë të thjeshtë votash të deputetëve në Kuvend, siç parashikohet në amendamentin e PD-së.

Patozi: Propozimet të kalojnë në bllok
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha dje në një prononcimi për mediat se ndryshimet e paraqitura për Kushtetutën duhet të kalojnë në bllok pasi sipas tij ato synojnë shmangien e krizave parlamentare. “E mira është që të miratohet gjithçka si një paketë e plotë, pasi koncepti ynë, është që Kushtetuta nuk është një han me shumë porta, ku mund të hyet e të dilet pa orar, por do të ishte shumë serioze të mbyllim çdo vatër potenciale krize që kjo kushtetutë mund të na krijonte.” Ndërkohë, i pyetur në lidhje me kushtëzimet që do të mund të paraqiste kjo nismë, duke pasur parasysh këtu edhe propozimet e bëra nga PS-ja, Patozi u përgjigj se: “Në këto kushte ne mirëpresim çdo koment dhe propozim të tyre për këtë paketë që ne kemi paraqitur. Unë mendoj që propozimet tona janë shumë racionale dhe thelbi tyre është mënjanimi i krizave të mundshme, dhe garantimi i stabilitetit politik. Në këtë frymë unë besoj se do të gjykojnë të gjitha partitë parlamentare”. Lidhur me debatet e shumta brenda maxhorancës përsa i përket çështjes së dekreteve të presidentit, Patozi tha se: “Ky është një aspekt shumë periferik i propozimeve tona, aq më tepër që është një përkthim i përpiktë i Kushtetutës gjermane nga ku është marrë ky model”. Pyetjes në lidhje me kërkesën e bërë nga partitë e vogla aleate të PD-së, për uljen në një tryezë diskutimi, zoti Patozi iu përgjigj se: “Ajo që unë di, është se partitë e koalicionit të djathtë, kanë kërkuar një tryezë të koalicionit qeverisës dhe unë besoj se kjo tryezë do të zhvillohet shumë shpejt”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›