Burrel, krerët e burgut fajësojnë njëri- tjetrin
Gjatë seancës së masës së sigurisë ata ia kanë hedhur fajin sektorëve të ndryshëm, për arratisjen e të dënuarve
BURREL- Krerët e burgut të Burrelit, të arrestuar për neglizhencë në tentativën e arratisjes të të dënuarve, kanë fajësuar dje njëri- tjetrin për ngjarjen e ndodhur. Ata janë paraqitur në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë dhe gjatë seancës së zhvilluar ditën e djeshme kanë hedhur fajin tek njëri- tjetri. Avokatët e tyre kanë kërkuar lirinë ndërsa prokuroria ka paraqitur provat e saj në lidhje me çështjen. Në përfundim të seancës, trupi gjykues ka dhënë vendimet e arrestit me burg pa afat për të tetë nga të arrestuarit. Dy të tjerë do të paraqiten nesër për masë sigurie.
Gjatë një seance maratonë janë vlerësuar dje masat e sigurisë për zyrtarët e burgut të Burrelit. Seanca ka nisur në orët e paradites dhe ka vazhduar deri në mbrëmje, e ndarë në dy pjesë secila me një gjyqtar më vete. Fillimisht janë paraqitur katër nga të arrestuarit, të cilët kanë dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me ngjarjen. Pas kësaj prokurorët Sabri Kastrati dhe Naim Tota kanë bërë paraqitjen e provave. Sipas tyre, krerët e burgut duhet të mbajnë përgjegjësi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës ndërsa policët për shkelje të rregullave të shërbimit të rojës. Prokurorët Tota dhe Kastrati shpjeguan dje në gjykatë se edhe disa ditë përpara arratisjes është konstatuar prerja e hekurave të qelisë të të dënuarve Fran Marashi i dënuar me burg të përjetshëm dhe Pashk Lleshi. Krerët e burgut e kanë parë këtë gjë dhe pa njoftuar askënd kanë bërë saldimin e hekurave. Sipas prokurorëve, ata kanë vepruar në kundërshtim me ligjin pasi nuk kanë bërë zhvendosjen e të dënuarve. Kjo gjë është mohuar nga avokatët mbrojtës, të cilët kanë pohuar se nuk ka asnjë vepër penale dhe për këtë arsye të arrestuarit duhet të lirohen. Një nga një të arrestuarit kanë thënë në gjykatë se nuk ishte kompetenca e tyre kontrolli i qelive apo transferimi i të dënuarve. Ata ia kanë hedhur fajin sektorëve të ndryshëm por ky justifikim nuk e ka bindur gjykatën, e cila ka vendosur që t'i lërë në burg pa afat. Kjo masë është dhënë për Eduard Brahimlikën drejtorin e Burgut të sigurisë së lartë, Luan Hysën shefi i regjimit, Kadri Domin shefin e shërbimit të jashtëm, Kujtim Laçin, me detyrë përgjegjës informacioni në Burgun e Burrelit si dhe katër gardianët Ervin Heta,Ardian Ruka, Fiqiri Ceni Fatmir Domi. Ndërkohë dje kanë dëshmuar edhe vetë dy të dënuarit që arritën të arratiseshin për gjysmë ore. Fran Marashi dhe Pashk Lleshi kanë shpjeguar se si prenë me sharrë hekurat e qelisë e më pas i shkatërruan me shkelma duke u arratisur. Marashi ka pohuar se ai e ka bërë një gjë të tillë në formë proteste për faktin që çështja e tij nuk rishqyrtohet. Sot pritet që të vlerësohet edhe masa e sigurisë për Rumnecin dhe Hoxhën.