E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjykata nuk ka shpallur ende vendimin për ndryshimet në ligj”

19/05/2010 Flet kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve të Liruar në Rezervë, Mehdi Pogaçi

Ndonëse është depozituar prej muajsh në Gjykatën Kushtetuese, ligji i ri mbi llogaritjen e pensioneve për ushtarakët e liruar në rezeve (dhe kategorive të tjera të Forcave të Armatosura), kjo e fundit ende nuk ka gati një vendim me ndryshimet që do të pësojë ligji pas paraqitjes së ankesave mbi nenet përkatëse nga grupet e interesit. Në një intervistë për gazetën “Metropol kreu i shoqatës së ushtarakëve, Mehdi Pogaçi, tregon nenet problematike që nuk duhet të miratohen, duke qenë se kanë fuqi vepruese negative në përfitimet që duhet të gëzojnë ish-ushtarakët për efekt të llogaritjes së pensioneve suplementare dhe atyre të parakohshme.

- Konkretisht çfarë po ndodh në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën tuaj për pezullimin dhe shpalljen të papajtueshëm me Kushtetuan të ligjit të ri për rillogaritjen e pensioneve për ushtarakët e liruar në rezeve dhe kategoritë e tjera të përfshira në të? A ka një afat konkret se kur do të shpallet ky vendim së bashku me ndryshimet përkatëse?

- Aktualisht jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë ditës së djeshme kemi dërguar dy persona për të pyetur për afatin e publikimit të këtij vendimi. Burime pranë kësaj gjykate na kanë pohuar se ende nuk është shpallur vendimi i plotë në lidhje me ndryshimet që do të pësojë ligji përkatës. Po ashtu ende nuk është përcaktuar një afat konkret se kur do të ndodhë një gjë e tillë, por shpresojmë së shpejti, që të mos zvarritet më tej kjo çështje. Për aq kohë sa ne nuk dimë se s’përmban vendimi saktësisht, nuk mund të themi ndonjë gjë të prerë, pasi janë shumë nene të variantit të ri të propozuar që paraqesin probleme për të gjitha kategoritë e përfshira në të. Ndonëse nuk na është konfirmuar ende zyrtarisht, ky variant ka disa nene që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe, për rrjedhojë, ne presim që të jepen vendimet përkatëse mbi to. Megjithatë, të gjitha këto raste duhen verifikuar dhe shqyrtuar rast pas rasti, ashtu sikundër po ndodh dhe në organet përkatëse të gjykatës. Varet se çdo të miratojë Gjykata Kushtetuese, por jam i sigurt se disa nene do të hidhen poshtë, pasi krijojnë papërputhshmëri me Kushtetutën, duke qenë se sjellin cenimin e sigurisë juridike të qytetarit, në këtë rast ushtarak.

- Çfarë ndodh nëse Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj do të miratojë nenin 29 të ligjit të shpallur në vitin 2009 për trajtimet që duhet të përfitojnë ushtarakët nga rillogaritja e pensioneve?

- Këto nene u mohojnë disa të drejta ushtarakëve, që i kanë përfituar në bazë të ligjeve që kanë qenë në fuqi. Janë një mori nenesh të diskutuara, veçanërisht neni nr. 29. Ai është neni kyç, që mohon të gjitha të drejtat e ushtarakëve në rezervë lidhur me trajtimin që duhet të përfitojnë nga rillogaritja e pensioneve. Ata duhet të rifitojnë ato të drejta që u ka dhënë ligji më përpara, dhe kjo është e mjaftueshme. Nëse ligji do të ngelet në fuqi siç është dhe varianti i ri do të shpallet i papajtueshëm me Kushtetutën, atëherë ish-ushtarakët e liruar në rezevë do të mbeten të kënaqur, duke qenë se rikthen përfitimet e dhëna nga ligjet e mëparshme. Ndërkohë ky nen penalizon grupet e tjera, siç janë forcat ushtarake të policisë, Gardës së Republikës apo forcat e shërbimeve informative, që janë sot në shërbim. Kështu, këto kategori do të penalizoheshin nëse ky nen do të shpallet i papajtueshëm. Konkretisht neni 29 i ligjit nr. 101.42, pika 2 shprehet se “pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi si dhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës do të rillogariten”. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj, por të gjitha vendimet e gjykatave të deritanishme ushtarakëve u kanë njohur të drejtën e masës së pensionit në bazë të ligjit përkatës të vitit 2004. Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe ligjit të datës 13.03.1996 sipas ndryshimeve të bëra në të. Kjo dispozitë ligjore jo vetëm shkel parimin e sigurisë juridike, duke e ulur masën e pensionit të parakohshëm në më pak se një të tretën e asaj të fituar me vendimet gjyqësore, por ndërhyn edhe në të drejtën e pushtetit gjyqësor, duke shkelur pikën 3 të nenit 142 të Kushtetues. Një vendim gjykate mund të anulohet vetëm me një vendim të një gjykate në një shkallë më të lartë.

- Sipas ligjit të ri, si kategorizohet derdhja e kontributeve suplementare?

- Po ashtu lidhur me pretendimet e ISSH-së dhe të Ministrisë së Financave se në ligjin nr. 10142, datë 15.05.2009, përcaktimi i dy grupeve të ushtarakëve me masë pensioni të parakohshëm të ndryshme, ndryshimi qëndron vetëm për ushtarakët që paguajnë 2 për qind të pagës referuese shtesë për pensionet, janë të pabazuara në ligj. Në dispozitat ligjore të vitit 2005 për sigurimin shoqëror e suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës përcaktohet se derdhet kontribut shtesë në masën 2 për qind mbi atë të përcaktuar në ligjin 7703 të vitit 1993, pagesë e cila llogaritet të jetë në masën 2 për qind të pagës referuese. Pjesa tjetër që do të paguajë buxheti i shtetit është sa diferenca ndërmjet shpenzimeve për zbatimin e këtij ligji me të ardhurat që mblidhen nga kontributet që derdhen për ushtarakët e Forcave të Armatosura”. Është më se e qartë se pagesa prej 2 për qind të pagës referuese është bërë për të zbutur efektin financiar aktual në fondin e shpenzimeve për sigurimet shoqërore dhe nuk është një shtesë mbi këtë fond që të krijojë një privilegj. Kur u hartua ky ligj në vitin 2005, përfaqësuesit e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë dhe ata të Ministrisë së Financave patën për qëllim këtë zbutje financiare. Për këtë arsye, në atë ligj nuk pati ndarje të ushtarakëve në dy grupe për sa i përket masës së pensionit të parakohshëm. Një arsye më tepër është se pagesa prej 2 për qind e pagës referuese e bërë deri tani nga ushtarakët aktivë është abuzive, pasi ligji është bllokuar për shkak të vendimit nr. 9, datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese dhe ISSH-së dhe Ministria e Financave nuk mund të zbatojë vetëm një nen të ligjit që u intereson atyre. Kjo e fundit është shfuqizuar edhe në ligjin e ri të 2009-s. Pra, me ndryshimet e bëra ligji i viti 2005 është shfuqizuar tërësisht pa përjashtime, kështu që edhe neni 4 i tij, i cili përcakton pagesën shtesë të 2 për qind të pagës referuese, është shfuqizuar dhe ushtarakëve aktivë nuk u takon më të paguajnë masën prej 2 për qind, pasi nuk ka asnjë ligj tjetër që ta përcaktojë këtë masë.

- Në variantin e ri ju keni kundërshtuar edhe nenin nr. 1, që përcakton unifikimin e trajtimeve dhe përfitimeve që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shpërblimet për të gjitha kategoritë. Çfarë synon të ndryshojë pika e re e propozuar?

- Lidhur me nenin 1 mund të themi se trajtimi dhe përfitimi nga sigurimet shoqërore dhe shpërblimeve të tjera të të gjitha këtyre kategorive, funksioneve dhe profesioneve që përmenden në këtë ligj në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë vjen në kundërshtim me natyrën, specifikën dhe statusin e secilës prej tyre. Unifikimi i trajtimit të tyre në kundërshtim me strukturën, veçoritë dhe kontributin e secilës kategori, ku disa janë civilë dhe të tjerë janë ushtarakë, disa përfshihen në administratën publike e të tjerë në Forcat e Armatosura, vjen në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mbrojtjen e parimit të barazisë dhe të mosdiskriminimit.

- Çfarë qëndrimi do të mbani, nëse Gjykata nuk do të pranojë rrëzimin e këtyre neneve të parashikuara në ligjin e ri?

- Pjesa dërrmuese e këtyre neneve që ne kemi kontestuar, janë shkelje të ligjeve të mëparshme. Kërkesën të parët në Gjykatën Kushtetues e kemi depozituar ne si shoqatë, ku kemi kontestuar në mënyrë të argumentuar të gjitha nenet problematike që përmban ligji i ri. Të njëjtin veprim kanë bërë edhe strukturat e Avokatit të Popullit, që kanë ngritur shqetësimet përkatëse, por që në masë këto të fundit i përkasin kategorisë së forcave të policisë. Megjithatë, qëndrimi ynë do të bëhet i qartë pasi të shpallet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ndryshimet që do të pësojë ligji përkatës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›