E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jean-Claude Trichet

Intervista “Historia do të na gjykojë për paketën financiare më të rëndësishme të BE-së”

Në një intervistë të fundit, Jean-Claude Trichet, 67 vjeç, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, flet për paketën më të madhe të shpëtimit në historinë e Europës, rolin dhe rëndësinë e spekulatorëve në krizën e euros dhe dobësinë e shfaqur nga politikanët e vendeve anëtare të eurozonës.

Z. Trichet, si e keni bërë gjumin këto ditët e fundit?

Unë gjithmonë fle mirë.

Nuk keni pasur ndonjë ankth?

Jo.

Megjithatë bota financiare ka ndryshuar shumë dy javë më parë, që kur vendet e eurozonës ranë dakord të krijonin një paketë të ndihmës financiare, që më parë konsiderohej si një hap i paimagjinueshëm. Ishte paketa prej 700 miliardë eurosh në ndihmë të shteteve të eurozonës që mund të kishin nevojë për ndihmë financiare, për shkak të problemeve me deficitin buxhetor. Edhe institucioni që ju drejtoni ka hequr dorë nga disa prej parimeve bazë të tij dhe në kundërshtim me to tani do t’i lejojë vetes të blejë edhe aksionet e shteteve problematike.

Jo, ne nuk kemi hequr dorë nga parimet tona. çmimi i stabilitetit është parimi bazë i mandatit tonë. Por për hir të së vërtetës, që nga shtatori i vitit 2008 po përballemi me situatën më të rëndë ekonomike dhe financiare që nga Lufta II Botërore, madje ndoshta që nga Lufta I. Kemi përjetuar dhe po përjetojmë kohë shumë dramatike.

Por edhe kjo është e dukshme po të shqyrtojmë mënyrën e të vepruarit tuaj dhe të personave të tjerë në poste të rëndësishme financiare gjatë ditëve të fundit.

Në kohë të tilla duhet të ruash gjakftohtësinë dhe të analizosh në mënyrë sa më të kthjellët të jetë e mundur. Në gusht të vitit 2007 ne ishim institucioni i parë i madh në botë që gjykoi me korrektësi atë që po ndodhte në tregjet e kapitalit me fillimin e periudhës së kaosit dhe krizës. Dhe në atë kohë reaguam shumë shpejt.

A mund të na thoni me pak fjalë se çfarë ka ndodhur saktësisht mes të enjtes dhe të premtes së dy javëve më parë, kur krerët e shteteve të Europës lançuan paketën më të madhe të shpëtimit për sa i përket vlerës financiare në historinë e Europës?

Të enjten pasdite dhe përgjatë të premtes ne patëm një përkeqësim shumë të madh të tregjeve financiare, si në Europë ashtu edhe gjetkë në nivel global. Të premten tregjet dhanë shenja të dukshme të një tensioni të madh. Unë ua parashtrova situatën krerëve të shtetit, të cilët ishin prezent në takim të premten në darkë. Të jesh në mënyrë të vazhdueshme në alert është shumë e rëndësishme kur ke përgjegjësi të mëdha.

Fondet private të financave dhe investitorët spekulativë aktualisht menaxhojnë asete me një vlerë totale prej 2.6 trilionë dollarësh. Por edhe pse është një shumë e madhe nuk është e mjaftueshme për të “vënë bast” ndaj zonës së euros. Mendoni se jemi të brishtë?

Jo, nëse arrijmë që ta bëjmë siç duhet detyrën tonë. Fillimisht duhet vënë rregulli në shtëpi. Për sa u përket institucioneve të sipërpërmendura ato duhet të jenë pjesë e një ndryshimi në rrafsh global.

Nga këndvështrimi juaj, cili ishte në të vërtetë rreziku në një situatë të tillë: vetëm bankat, monedha e përbashkët euro, apo vetë Bashkimi Europian?

Ne aktualisht po përjetojmë disa situata të tensionuara, të cilat janë pjesë e ngjarjeve që pasuan krizën e viteve 2007-2008. Në atë kohë institucionet private dhe tregjet ishin në prag të një kolapsi total. Kjo situatë u përballua me masa të mëdha mbështetëse nga ana e qeverive. Ndërsa aktualisht ne shohim se në rrezik në këtë krizë janë vetëm disa qeveri dhe madje të vendeve të rëndësishme. Bëhet fjalë për deficitin buxhetor. Shumë qeveri të G7-s kanë një deficit prej 10% dhe në vendet e eurozonës e gjithë kjo zonë ka një mesatare deficiti prej 7% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Në një situatë të tillë me një rritje të deficitit buxhetor në fakt edhe në shumë vende të botës tregjet zgjodhën për të sulmuar pjesën më të dobët: Greqinë. Të përmendim këtu edhe faktin e statistikave të parregullta të këtij vendi për disa vite rresht në lidhje me deficitin. I gjithë presioni i tregjeve u përqendrua te Greqia dhe për ndreqjen e situatës u desh një program drastik.

Po, por nuk është vetëm Greqia ajo që u vu në shënjestër të tregjeve. Pas saj ishte edhe Portugalia...

Në treg ka gjithmonë rreziqe për “ngjitje” të sëmundjes si ajo që ndodhi mes institucioneve të ndryshme private në vitin 2008. Dhe sëmundje të tilla përhapen me shpejtësi. Ndonjëherë është çështje ditësh, madje orësh. Ky është një problem për gjithë botën e industrializuar në tërësi.

Tashmë thuhet se edhe bankat e Azisë kanë humbur besimin e tyre tek euroja. Dhe të mos harrojmë se ato janë lojtare kryesore.

Një monedhë që e mban vlerën e saj paralel me përcaktimin e stabilitetit të çmimeve me një shkallë inflacioni më pak se 2% për 12 vjet rresht është një monedhë që frymëzon besim.

Në rastin e Greqisë debati i bërë në Berlin disa javë më parë kishte të bënte me dhënien e asistencës në masën e 3 miliardë eurove për të shpëtuar Greqinë. Por më pas doli se për të shpëtuar këtë vend ishin të nevojshme shifra shumë më të mëdha. Cila është kostoja që paguajmë tani për hezitimin e Gjermanisë në ndihmën ndaj Greqisë?

Në këtë histori ka shumë më tepër detaje se kaq. Qeveria greke harxhoi shumë kohë për të njohur ajo vetë fillimisht, por edhe për t’ua bërë të njohur të tjerëve, shkallën e madhe të problemeve të saj. Ne në Bankën Qendrore Europiane ishim shumë të qartë në paralajmërimet tona në lidhje me veprimin e qeverisë që duhej të ishte shumë i shpejtë dhe vendimtar. Në kohë të vështira marrja e një vendimi të shpejtë është thelbësor.

Tregjet financiare nuk u impresionuan shumë nga paketa e parë e ndihmës financiare ndaj Greqisë?

Sikurse thashë, situata ishte tashmë e përkeqësuar në atë masë sa tregjet nuk do të impresionoheshin kollaj dhe u përkeqësua në një shkallë shumë të madhe të enjten në darkë dhe përgjatë ditës së premte. Një numër tregjesh nuk po funksiononin më në mënyrë të rregullt dhe situata i ngjante pak a shumë shtatorit të vitit 2008, kur falimentoi “Lehman Brothers”.

A ishte sulmi i euros më i rëndë se ai ndaj bankës së sipërpërmendur?

Nuk ishte një sulm ndaj euros. Ishte një çështje e financave të shteteve të ndryshme dhe kjo situatë e keqe e shteteve u reflektua edhe te monedha e përbashkët.

Gjatë krizës këshilli drejtues i Bankës Qendrore Europiane vendosi për herë të parë që të blinte bonot e qeverive me probleme financiare, duke thyer kësisoj një tabu. Presidenti i Bankës Qendrore gjermane “Bundesbank”, Axel Weber, homologu i tij holandez dhe shefi i ekonomistëve të bankës suaj votuan kundër një mase të tillë. Rrallë ka pasur një disidencë të përmasave të tilla në bordin e vendimmarrësve të lartë të euros.

Siç e dini, unë kurrë nuk komentoj individë, apo pikëpamje. Masat tona, veprimet tona autorizohen nga traktati i Bashkimit Europian. Ajo çka po bëjmë është që të ndihmojmë disa segmente të tregut për të funksionuar në mënyrë normale dhe siç thashë ne do të marrim gjithë likuiditetin shtesë që do të çojmë në programet e përmirësimit të tregut.

Publiku në përgjithësi krijoi përshtypjen se qeveritë i bënë presion Bankës Qendrore Europiane që të merrte një vendim të tillë. Ky do të ishte një sinjal i tmerrshëm për sa i përket pavarësisë së bankës dhe besueshmërisë së saj.

Kjo është qesharake. Ne i marrim vendimet tona tërësisht në mënyrë të pavarur dhe kemi marrë ndërkohë shumë vendime kundër vullnetit të shumë krerëve të shteteve. Në vitin 2004 kemi refuzuar që të ulim përqindjen e interesit, në vitin 2005 kemi vazhduar me vendimin tonë për rritjen e përqindjes së interesit kundër vullnetit të krerëve të shteteve dhe përgjatë gjithë kësaj periudhe kemi mbrojtur me shumë krenari Paktin e Rritjes dhe Stabilitetit, përfshi edhe mbrojtjen e tij ndaj Kancelarit gjerman të asaj kohe. Po bëj një pyetje të thjeshtë: kush ka qenë i dobët gjatë muajve të fundit? Sigurisht jo banka jonë. Janë disa qeveri me borxhet e tyre shumë të mëdha që janë të dobëta.

Po, por deri më tani banka juaj ka qenë e fortë dhe e pavarur, sepse i ka refuzuar vazhdimisht kërkesat nga politikanë të ndryshëm për uljen e përqindjeve të interesit apo për shtrirjen e politikave monetare. Ndërsa këtë herë ju për herë të parë ndryshuat qëndrim.

Ne nuk kemi bërë asnjë ndryshim në linjën tonë të deritanishme ndaj krerëve të shteteve. Ne gjithmonë i marrim vendimet tona duke u bazuar vetëm në vlerësimet tona në lidhje me situatat dhe rrethanat e ndryshme dhe jo duke u nisur nga rekomandimet e qeverive, tregjet apo partnerët tanë socialë.

Ju personalisht a keni bërë gjatë javëve të fundit ndonjë gabim individualisht?

Nuk më takon mua që ta gjykoj. Historia do ta bëjë atë në kohën e duhur.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›