E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikohen vetëm 300 shtëpi, banorët flenë jashtë

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Një javë pas tërmetit 7.2 ba-llësh të së dielës së shkuar, banorët e zonave të dëmtuara flenë jashtë. Kjo ka ndodhur për çdo natë, pasi shtëpitë e dëmtuara dhe lëkundjet e vazhdueshme të tërmetit, nuk u japin garanci familjarëve për të bërë gjumin e qetë. Në ditën e shtatë pas tërmetit të fuqishëm, i cili pasojat më të mëdha i la në disa komuna të Bulqizës e Matit, të dhënat zyrtare flasin për 900 shtëpi të dëmtuara në të gjithë qarkun. Ndërsa banorët kërkojnë ndihmë materiale nga shteti, ky i fundit pret që të mbledhë të dhënat nga ekspertët mbi dëmet, e më pas të vendosë. Verifikimi i dëmeve po vazhdon, por shifra e lartë e banesave të dëmtuara plotësisht apo pjesërisht bën që rezultatet të vonohen, ndonëse dimri po afron. Pesë grupe me specialistë të fushës së ndërtimit vijojnë punën në terren për vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga tërmeti, ndërkohë ka reagime të ndryshme në lidhje me ritmin e punës së kryer. Prefektura e komunat e konsiderojnë punën normale, ndërkohë banorët e prekur nga tërmeti 7.2 ballësh ankohen se jo vetëm ritmet janë të ngadalta, por hidhen dyshime se nuk do të kompensohen nga shteti, në mënyrë të drejtë për dëmin që kanë pësuar. Burime pranë Shtabit të Emergjencave Civile Dibër saktësuan se procesi për vlerësimin e dëmeve materiale të shkaktuara nga tërmeti, përgjithësisht në banesat e banorëve të zonës, është duke u realizuar nga 5 grupe pune me specialistë të fushës. "Ky proces ka për qëllim që t'u mundësojë banorëve të dëmtuar, zhdëmtimin e dëmit të shkaktuar nga kjo fatkeqësi natyrore. Nga ana tjetër, Shtabi i Emergjencës Civile, i ngritur pranë Prefekturës së Dibrës i ka dhënë një rëndësi të madhe punës për strehimin e përkohshëm të banorëve të dëmtuar nga tërmeti. Në gjithë zonën janë ngritur mbi 250 çadra për strehimin e banorëve, ndërsa janë në dispozicion të tyre edhe 160 të tjera". Zyrtarët e Prefekturës Dibër ripohuan se janë ngritur dy kampingje, por nuk janë populluar për shkak se banorët kanë preferuar të qëndrojnë me çadra pranë shtëpive të tyre. Grupet e Shtabit të Emergjencës Civile, në bashkëpunim me përfaqësuesit vendorë, kanë shpërndarë ndihma ushqimore për banorët e dëmtuar, të cilat llogariten në mbi 9 ton. Sipas të dhënave zyrtare, janë afro 900 banesa të dëmtuara, ndërkohë burime të tjera të besueshme saktësojnë se janë mbi 1500 shtëpi të dala jashtë përdorimit, por me ritmet e nisura ky proces do ditë që të përfundojë. Brenda një jave grupet e vlerësimit kanë këqyrur nga afër dhe kanë plotësuar dokumentacionin për 300 shtëpi, ndërkohë që mendohet se do të duhet dhe një muaj kohë për ta përfunduar këtë proces. Ndërkohë të dhënat e publikuara për shtëpitë e dëmtuara, për ndihmat e dërguara në zonat e prekura dhe funksionimin e kampingjeve janë kontradiktore. As në Shupenzë dhe as në Gjoricë banorët e mbetur pa shtëpi nuk pranojnë të strehohen, ndërkohë Ministria e Brendshme pohoi dje publikisht se janë ngritur e funksionojnë dy kampingje në dy komunat më të dëmtuara.

PS akuza qeverisë: E paaftë për situatën

BULQIZE - Tërmeti shkaktoi lëkundje dje dhe mes deklaratash mes PS-së dhe Ministrisë së Brendshme. Deputeti i Qarkut të Dibrës, Qemal Minxhozi pas vizitës që kreu në zonat e prekura nga tërmeti i 6 shtatorit ka akuzuar  qeverinë për paaftësi në menaxhimin e situatës. Ai e ka konsideruar të pavërtetë lajmin se në terren janë dërguar 400 çadra. "Maksimumi janë dërguar vetëm 10 % e tyre, ndërkohë që 150 familje, përfshi këtu fëmijë, gra dhe pleq, po kalojnë natën në qiell të hapur. Edhe ato çadra, duhet thënë se janë çadra verore që nuk i mbrojnë të strehuarit nga shiu. Përpara 2 kg fasule, makarona apo oriz, njerëzit në këto zona po kërkojnë bazë materiale për të rindërtuar shtëpitë e tyre". tha Minxhozi. Sipas ligjvënësit, banorët janë në panik pas përsëritjes së lëkundjeve të tërmetit. "Nëse kjo fatkeqësi do të kishte ndodhur një javë para zgjedhjeve, jam i bindur se i gjithë shteti do të ishte prezent aty dhe do të plotësoheshin kërkesat e banorëve. Këtu kemi të bëjmë me një indiferencë që nuk po vret vetëm këto njerëz, por po vret edhe shpresat e tyre për të ardhmen". përfundoi Minxhozi. Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja sqaroi se: "Ndërhyrja e qeverisë, pas situatës së krijuar në qarkun e Dibrës si pasojë e tërmetit që goditi këtë zonë një javë më parë, ka qenë e shpejtë dhe efikase. 292 çadra janë shpërndarë për banorët, shtëpitë e të cilëve janë konsideruar të pabanueshme në komunat Shupenzë, Gjoricë, Zerqan, Ostren dhe Maqellarë. Ndërkohë, 65 çadra janë në gjendje në komunën Shupenzë", deklaroi Konja. Sipas tij, "Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen për shprehjen e qëndrimeve të pabaza dhe informacioneve të pavërteta nga ana e Partisë Socialiste. Kjo ministri siguron opinionin publik se qeveria ka vënë dhe do të vërë në dispozicion gjithçka të nevojshme për të riparuar të gjitha pasojat e tërmetit në zonën e Dibrës", përfundoi deklaratën e saj Ministria e Brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›