Gjykata regjistron Frymën e Re si parti politike

Komisioni nismëtar i FRD, gjatë prezantimit
TIRANE Fryma e Re Demokratike është zyrtarisht një parti politike. Pak para përfundimit të orarit zyrtar, Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën për regjistrim si parti politike të këtij subjekti politik. Gjykata vendosi pranimin e kërkesës së kërkuesit Gazmend Oketa, thuhej në dispozitivin e vendimit të gjyqtarit Ilir Çeliku. Kërkesa për regjistrimin e FRD në regjistrin e Partive Politike u depozitua në Gjykatën e Tiranës më 31 maj.
Regjistrimi si person juridik i partisë Fryma e Re Demokratike dhe depozitimi i akteve te saj në regjistrin e partive politike, ishte objekti i kërkesës së depozituar nga deputeti Oketa. Në këtë kërkesë, FRD shprehej se themelohet me vullnetin e lirë të 11 432 (njëmbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e dy) shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, mbi bazën e bindjeve, ideve dhe interesave të përbashkëta.
Shqyrtimi i kërkesës për regjistrimin ligjor të FRD-së si parti politike zgjati katër seanca, një prej të cilave u shty për shkak të mungesave në dokumentacion nga ana e kërkuesve.