E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti; Revoltohet Gaxhai dhe 50 të dënuar: Duam ajrosje

Cdo vit emri i Gaxhait do të dalë në media, për arsye nga më të ndryshmet, herë për tentativa arratisjesh, herë për përplasje në ambientet e burgut me rivalin e tij, Zan Caushi dhe herë si një nga iniciatorët e protestave për kushtet në burgje. Pikërisht ky shkaku i fundit ka qenë arsyeja që e ka bërë sërish personazh mediatik Gazmend Brakën (Gaxhain), i cili mësohet të jetë një ndër kryesuesit e revoltës së djeshme në burgun më të ri në vend, atë të Fushë-Krujës, banorët e rinj të të cilit kanë vetëm disa javë që kanë populluar seksionet e tij. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pranoi se kishte pasur protestë, por ndërsa shpjegoi arsyet e saj, deklaroi edhe se situata ishte vënë nën kontroll.

Protesta

Duke shfrytëzuar njohjet dhe miqësitë e krijuara në burgjet e tjera, së bashku me Admir Tafilin, i njohur si autori i vrasjes së komisarit të policisë, Arben Zylyftarit, dhe rreth 50 të dënuar të tjerë të seksionit të sigurisë së lartë, kanë protestuar për sistemin e ajrimit, duke kërkuar sa më tepër ajër dhe duke kundërshtuar mbylljen e dyerve nga ana e personelit të këtij burgu.

Mëngjesi i djeshëm është shënuar si fillimi i revoltës, e cila ka nisur me replika midis të dënuarve me nga 20 vjet burg deri me “burgim të përjetshëm” dhe gardianëve, që kanë degjeneruar me goditje dyersh të qelive, çka solli si domosdoshmëri ndërhyrjen e efektivëve të policisë së këtij burgu dhe për t’u pasuar këta të fundit me forca speciale të ardhura në ndihmë nga kryeqyteti. Kësaj proteste i janë bashkuar fillimisht edhe disa të dënuar të tjerë, por që kanë hequr dorë shumë shpejt, duke lënë të vijojnë revoltën vetëm të dënuarit e sigurisë së lartë.

Reagimi

Lidhur me situatën në burgun e Fushë-Krujës reagoi Blerina Marini, zëdhënësja e shtypit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ajo pranoi se në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal Fushë-Krujë u shënua dje një incident nga disa të dënuar, por duke specifikuar se ata ishin të dënuar të sigurisë së zakonshme. “Shkak i këtij incidenti është bërë shfuqizimi i urdhrit nr. 4938, datë 30.05 2008, “Për disiplinimin e veprimeve me dyert e qelive për të dënuarit dhe paraburgosurit”, lidhur me mbajtjen hapur të dyerve të blinduara dhe të dyerve të dhomave gjatë periudhës qershor-shtator 2008”, - sqaroi Marini.

Për të qetësuar situatën, nga Drejtoria e Burgut u nis një grup negociatorësh, të cilët u sqaruan të dënuarve ndryshimin e situatës së ajrimit brenda burgut. Sipas tyre, pas ndryshimit të kushteve atmosferike, për shkak edhe se po i afrohemi dimrit, në burgjet e sigurisë së lartë dyert e qelive mbyllen, ndryshe nga periudha prill–shtator, kur ato lihen të hapura. Kjo u është sqaruar edhe të burgosurve të tjerë të këtij seksioni, përfshirja e të cilëve në këtë kundërshtim nuk ka qenë e plotë. Duke qenë se situata në seksionin e sigurisë së lartë nuk është normalizuar, por ka vijuar me goditje dyersh, në ndihmë të gardianëve dhe Policisë së Burgut kanë mbërritur forcat speciale nga Tirana dhe të komisariatit të policisë së Krujës, të cilët nuk kanë ndërhyrë brenda ambienteve të burgut, por për arsye sigurie kanë ngritur postblloqe në hyrje dhe dalje të burgut, duke vënë nën kontroll protestën.

Neni 54 i rregullores së burgjeve

Pas ndryshimit të kushteve atmosferike, për shkak edhe se po i afrohemi dimrit, në burgjet e sigurisë së lartë dyert e qelive mbyllen, ndryshe nga periudha prill–shtator, kur ato lihen të hapura

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›