E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kejdi Kote lë përgjithmonë Burgun e Vaqarrit



Tiranë - Kejdi Kote lë burgun pas kryerjes së dënimit prej 11 vitesh. Burime nga Burgu i Vaqarit pohuan dje për gazetën “Albania” se Kote është larguar dje për shkak se ka mbaruar të gjithë dënimin. Pas shumë tentativash nëpër gjykata për të përfituar amnisti, ai duket se e ka shlyer vetë dënimin për të larë njëherë e mirë hesapet me Drejtësinë shqiptare. Në vitin 2000, Kejdi Kote, atëherë 25-vjeçar, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të ndryshme dhe mashtrimit, arriti të grabiste 25 milionë lekë në Bankën e Kursimeve në kryeqytet. Gjithçka ndodhi brenda pak ditësh, në një nga agjencitë e Bankës së Kursimeve që ndodhej në bulevardin “Zogu I” në kryeqytet. Pas zbulimit të ngjarjes, ai iu fsheh për një farë kohe në mënyrë spektakolare policisë, por më pas ra në pranga dhe gjykata e dënoi me 11 vjet heqje lirie. Kejdi Kote është për autoritetet shqiptare të Drejtësisë i pari mashtrues që nëpërmjet kompjuterëve, duke falsifikuar dokumente shtetërore, arriti të tërheqë nga banka shumën e konsiderueshme duke u paraqitur si familjari i një biznesmeni nga qyteti i Beratit, të cilin me dokumente e vërtetonte të vdekur. Megjithëse shuma e përfituar prej 25 milionë lekësh nuk u gjet kurrë nga drejtësia, në vitin 2001 Kejdi Kote u arrestua për vjedhje me anë të mashtrimit dhe u dënua më pas me dy vendime gjykate, të cilat së bashku “i jepnin” 11 vjet heqje lirie. Përveç akuzave për të cilat u dënua, Kote do të mbahet mend nga autoritetet e Burgut të Rrogozhinës edhe për rrengun që u bëri atyre menjëherë pas instalimit të kompjuterëve në atë burg. Një fotomontazh që tregonte Koten duke ecur përkrah ministrit të Drejtësisë në atë kohë, Aldo Bumçi, bëri shumë bujë jo vetëm mes të dënuarve, por edhe në ambientet politike e mediatike.

Banda e Durrësit

Loja për procesin për të mos u dëgjuar dëshmia e të penduarit

Tiranë - Në pritje për të dëgjuar dëshminë e të penduarit dhe bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Adriatik Coli, procesi ndaj 16 të pandehurve të bandës së Durrësit shënoi dje dështimin e radhës, duke u zvarritur për shkak të mungesës së një avokati. Me gjithë orën e caktuar dhe ditën e enjte të çdo jave, kësaj radhe mungoi avokati i Plaurent Dervishit, me justifikimin se ishte sëmurë.
I ndodhur në këto kushte, gjykatësi Gurali Brahimllari u detyrua të vendoste për shtyrjen e gjyqit për javën e ardhshme. Procesi i ish-bandës së Durrësit prej afro dy viteve nuk po arrin të zhvillohet normalisht. Në procesverbalin e Gjykatës ditën e djeshme u shënua seanca e 81-të, 75 prej të cilave kane dështuar për shkak të avokatëve, të cilët ia kanë dalë të mos e lejojnë të penduarin e bandës të rrëfehet para Drejtësisë. Me cilësinë e të akuzuarit si anëtarë të bandës së Durrësit prokuroria ka marrë 16 persona, të cilët akuzohen për disa episode të rënda kriminale, ndër të cilat edhe disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës. Sipas të dhënave të prokurorisë, në fillimet e saj, në vitin '97, banda e Durrësit drejtohej nga i pandehuri Lulzim Berisha. Më pas, me kalimin e kohës, anëtarët e saj u përfshinë në konflikte me njëri-tjetrin, duke krijuar grupe rivale. Shumë prej të akuzuarve janë arrestuar në vitet e fundit nga forcat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila për disa vite hetoi çështjen penale ndaj tyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria për Krimet e Rënda, më datë 03.04.2005 ka regjistruar procedimin penal nr. 35 për veprat penale të: “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu; “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78, 25, 278/4 dhe 333/a të K. Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela e Agim Rexhepi, dhe ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.

11 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›