Gjykata vendos: Rihetim vdekjes së 17-vjeçarit
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Vdekja e gjimnazistit në Bilisht do të rihetohet nga Prokuroria e Korçës. Gjykata e Apelit vendosi hetimin nga e para të kësaj dosjeje, duke marrë parasysh kërkesën e vazhdueshme të prindërve të 17-vjeçarit Mikel Ajçe. Ai u gjet i vetëvarur në një pemë, më 21 shkurt të vitit të kaluar, por prindërit e tij gjatë gjithë kohës kanë aluduar për vrasje. Ata kundërshtuan vendimin e Gjykatës së Faktit në Korçë për pushimin e kësaj çështjeje më 23 qershor të këtij viti. Babai i gjimnazistit, Halim Ajçe, kërkoi rihetimin e çështjes dhe zhvarrosjen e kufomës, pasi sipas tij janë vërejtur dëmtime dhe plagë në trupin e 17-vjeçarit që kur ai ishte në morgun e Korçës. I ati pretendon se ndaj djalit të tij është ushtruar dhunë në ambientet e shkollës ku si pasojë i biri ka gjetur vdekjen. Në mënyrë të drejtëpërdrejtë Ajçe akuzon ish-drejtorin e shkollës së mesme “Fuat Babani” në Bilisht, Fredi Mulla, nëndrejtorin Ferdinant Voci dhe mësuesin Vladimir Kello, si autorë të vrasjes së djalit. Sipas tij, ata e kanë rrahur 17- vjeçarin duke mos e menduar se do t’u mbetej në dorë. Por kur kjo ka ndodhur, atëherë ata janë detyruar të inskenojnë vetëvarjen e tij. Në seancën e djeshme, gjykata vendosi që dosja të kthehet në prokurori. Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, kjo çështje do të rihetohet pasi duhet të merret në pyetje një nga nxënësit që ka qenë me viktimën në momentin e komunikimit të përjashtimit të Mikelit nga shkolla. Gjithashtu në pyetje duhet të merret edhe ish-drejtori i kësaj shkolle. Në dosje është vënë re se në ekspertizë mungon përcaktimi i kohës se kur ka ndodhur ngjarja. Djali 17-vjeçar Mikel Ajçe, u gjend i varur në një pemë në shkurt të vitit 2008. Prindërit e tij pas varrimit kanë kërkuar dënimin e drejtorit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, pasi sipas tyre, Mikeli nuk ishte vetëvarur, por e kanë vrarë brenda në shkollë. Sipas tyre, ish-drejtori, nëndrejtori dhe një nga mësuesit, kanë qenë iniciatorë të përjashtimit nga shkolla të Mikelit. “Para se ta largonin ata donin ta rrihnin një herë adoleshentin për t’i dhënë një mësim. Goditja që iu dha në korridorin e shkollës me shqelm ka qenë fatale. Mikeli brenda disa minutash ka ndërruar jetë”, thonë ata. Gjithmonë sipër prindërve, djali i tyre është transportuar me një mjet në një banesë në Bilisht dhe në mesnatë është inskenuar varja në pemë. Ata i kërkojnë drejtësisë zbardhjen e kësaj çështjeje, pasi djali i tyre ka pasur shenja dhune në trup. Rrahjen nga stafi pedagogjik atyre ua kanë konfirmuar edhe disa nxënës dëshmitarë. Tashmë do të jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse do të kryhet zhvarrimi i gjimnazistit ose jo.