Policia bllokon 27 makina
Etleva Delia
Antikrimi Ekonomik, Antitrafikët dhe Policia Rrugore, bllokun dje në mëngjes parkingun përreth stadiumit “Dinamo” në Tiranë, që shërben si treg i shitjes së automjeteve. Aksioni ka nisur pas një plani operacional për goditjen e veprimtarisë së jashtëligjshme dhe grupeve që vjedhin e trafikojnë mjete motorike. Policia tha se operacioni filloi me verifikimin e të gjitha automjeteve nëse janë të vjedhur, nëse kanë targa apo dokumentacion të falsifikuar. Efektivat blu kanë ndeshur në pakënaqësitë e banorëve të zonës ku zhvillohej operacioni, pasi bashkë me makinat që tregtoheshin, janë bllokuar edhe automjetet e parkuara nga banorët dhe që ata pretendonin se i kishin me dokumentacion të rregullt. Gjatë aksionit, janë bllokuar të gjitha hyrje-daljet në shesh, duke pretenduar se në parking kishte makina të vjedhura. Edhe pas reagimeve të ashpra të banorëve aksioni i policisë nuk është ndërprerë, por ka vazhduar duke i marrë të gjitha makinat me karrotrecë për t’i çuar nëpër pikat e bllokimit. Aty më pas është kryer verifikimi i dokumentacionit, por edhe i numrave të shasive. Nëpërmjet bashkëpunimit me Interpolin ka nisur verifikimi për të parë nëse ndonjë prej makinave të bllokuara ishte denoncuar si e vjedhur në ndonjë nga vendet fqinj. Sipas deklaratës zyrtare të policisë së Tiranës, mësohet se gjatë këtij operacioni strukturat e policisë bllokuan 27 automjete, të cilat pasi u verifikuan rezultuan se ishin me mungesë në dokumentacion. Makinat e tjera që ishin transportuar në pikat e bllokimit, pas verifikimit të dokumentacionit dhe kur u provua se ishin në rregull u rikthyen në parking. Roli i Policisë Rrugore në këtë aksion ishte kontrollimi i dokumentacionit përkatës të mjeteve, përpilimi i procedurave të duhura ligjore dhe bllokimi i automjeteve, duke i shoqëruar ato me shërbime deri në pikën e bllokimit. Policia e Tiranës njoftoi dje se, drejtuesit e mjeteve të bllokuara duhen të paraqiten me dokumentacion të rregullt në Komisionin e Shqyrtimit të Kundravajtjeve Administrative.