E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau bashkëfshatarin, gjykata i jep pafajësi kryekomunarit

 

SHKODER - Gjykata i jep pafajësi kryetarit të komunës Pult në Shkodër, Sokol Cubi, i cili akuzohej për vrasjen e Dodë Hilës 7 muaj më parë. Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 6 vite burg duke e akuzuar kryekomunarin, për “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”. Ndërsa avokati kërkoi pafajësi për klientin e tij duke argumentuar se vrasja është bërë në kushtet e mbrojtjes, pasi viktima e kishte qëlluar atë disa herë me thikë. Ngjarja ndodhi më 27 prill 2009 në afërsi të spitalit të Shkodrës, në sy të shumë dëshmitarëve. Gjatë seancës gjyqësore, Cubi deponoi se “mes meje dhe Dodë Hilës ka pasur një konflikt të çastit. Ai mu afrua dhe më tha se pse nuk kisha shkuar t’i pija një kafe pasi kishte dalë nga burgu. Më pas më akuzoi se unë i kisha nxjerrë nga burgu gjakësin e tij, L.Z., dhe më goditi me thikë. Ndërsa isha duke u rrëzuar dhe ai po më sulmonte sërish, kam nxjerrë pistoletën të cilën e kam me leje për shkak të detyrës dhe kam gjuajtur në drejtim të tij”, është shprehur Cubi. Sipas gjykatës, Cubi, e ka kryer vrasjen në kufijtë e mbrojtjes fizike.                  r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›