Gjykata vendos arrest me burg për të akuzuarin për vrasjen e Fatbardha Tafës
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për të dyshuarin kryesor për vrasjen e Fatbardha Tafës pasditen e 7 gushtit, tek ish- fusha e Aviacionit, 20 vjeçarin Aldo Hoxha.
Masa e sigurisë është shqiptuar nga gjyqtari Neritan Cena. Seanca gjyqësore ndonëse ishte parashikuar për tu mbajtur rreth orës 10.00 është shtyrë për disa minuta, për të filluar në orën 10:45 me kërkesë të avokatit mbrojtës, me arsyetimin për njohjen me dosjen e klientit të tij.
Ndërkaq gjatë seancës gjyqësore Prokurori Blerim Tominaj kërkoi burg pa afat për 20 vjeçarin, ndërsa nga ana tjetër vetë Aldo Hoxha nuk pranoi se ka kryer krimin, duke kërkuar ballafaqim me familjarët e Fatbardha Tafës.
Organi i akuzës thotë se një fije floku e gjetur në kapelen e autorit të krimit është edhe prova shkencore e këtij krimi. Aldo Hoxha ka qenë pasagjer në motoçikletë, por i ka rënë kapelja. Në kapele është gjetur një qime floku, që pas analizës është provuar se i përket Aldo Hoxhës.
Në vendimin e gjykatës duket se ka ndihmuar edhe dëshmia e të dëmtuarës Lumturie Gjana, e cila të shtunën në mesditë është paraqitur për njohje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
37-vjeçarja që ka mbetur e plagosur gjatë sulmit me thikë tek ish-Fusha e Aviacionit ka konfirmuar për policinë se personi i ndaluar ngjasonte shumë me njeriun që i kishte vrarë motrën dhe plagosur atë me thikë.
Nisur nga kjo situatë, efektivët e policisë arrestuan me 11 gusht 20-vjeçarin Aldo Hoxha, duke i komunikuar atij akuzën e Vrasjes me dashje, Grabitje me dhunë dhe Plagosjes së lehtë me dashje.