SHKB nis hetimet për dhunë ndaj të arrestuarit për vrasjen e Fatbardha Tafës
Policia e ka pasur të vështirë të marrë një urdhër- arresti nga prokuroria për arrestimin e tij, për shkak të provave të grumbulluara. Shenjat e dhunës duken në fytyrën e Hoxhës
Autori i vrasjes së 37-vjeçares Fatbardha Tafa, trumbetohet si i identifikuar, ndonëse ai e mohon të jetë autori i krimit. I arrestuari si bashkëpunëtor në vjedhjen me pasojë vdekjen e 38-vjeçares, 20-vjeçari Aldo Hoxha nuk pranon të ketë marrë pjesë në këtë krim.
Sipas gazetës Shqip, Hoxha, pavarësisht se policia ka deklaruar që ka prova shkencore për arrestimin e tij, nuk e ka pranuar në asnjë moment kryerjen e krimit. Madje, ai ka ngritur alibi se ka qenë në shtëpi ditën e ngjarjes, nga ora 16:00 dhe më pas me familjen ka shkuar në dasmë. Të njëjtën alibi mbron edhe nëna e tij, por policia është e bindur se ka prova të mjaftueshme për të kundërtën.
Megjithatë, sipas burimeve, policia e ka pasur të vështirë të bindë edhe prokurorin që të firmosë urdhër-arrestin, duke ngritur dyshime mbi punën profesionale të grupit të hetimit. Por, kreu i policisë së kryeqytetit, ashtu edhe ministri i Brendshëm, janë shprehur të bindur që ky është një ndër autorët e vrasjes së Fatbardha Tafës.
Nga ana tjetër, babai i 20-vjeçarit ka treguar se djali i tij është dhunuar dhe është i pafajshëm për këtë ngjarje të rëndë, duke shpjeguar se do të takojë edhe familjen e viktimës për të sqaruar rrethanat.
Ai ka shpjeguar se Aldo është keqtrajtuar nga oficerët e policisë, derisa i ka rënë të fikët dhe më pas është njoftuar ambulanca. Në këto kushte mësohet se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm do të kërkojë nisjen e hetimeve mbi keqtrajtimin e të riut, megjithëse do të vendoset sot sesi do veprohet më tej. Gjithashtu hetim për këtë ngjarje mësohet se ka nisur edhe Ministria e Drejtësisë. Burimet pranë këtij institucioni bënë të ditur se do të hetohet gjykimi dhe vendimi i Gjykatës së Tiranës mbi fajësinë e të arrestuarit për veprat e tjera penale të konsumuara prej tij më parë.
Ndërsa oficerët e hetimit të krimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës vijojnë hetimet me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë kriminale, ku mbeti e vrarë Fatbardha Tafa dhe u plagos motra e saj dhe identifikimit të bashkëpunëtorit tjetër në këtë krim.