E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata vendos pro ekstradimit të Mlladiçit

Gjykata në Beograd ka vendosur që Ratko Mlladiç të transferohet në Tribunalin e Hagës që të përballet me procesin për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati mbrojtës i Mlladiçit, Millosh Shaljiq, ka deklaruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin, ditën e hënë. “Gjykatësi i ka informuar palët, Prokurorinë, të paditurin, mua, se mjekët kanë arritur në përfundim se ai është në gjëndje që të përballet me procesin. Unë, personalisht, mendoj se ai nuk është në gjendje dhe se gjatë gjithë seancës dëgjimore, ai ka treguar shenja tërësisht të kundërta me ato që kanë thënë mjekët”, tha Shaljiq.

Mlladiçi u arrestua të enjten në një fshat në veri të Beogradit, pas 15 vitesh në arrati.

Seanca e parë dëgjimore është pezulluar të enjten, pasi avokati i tij ka thënë se Mlladiç nuk është në gjendje të komunikojë për shkak “të gjendjes së tij të rëndë fizike”.

Akuza kundër Mlladiçit përfshin akuzën për genocid në masakrën 8 mijë burrave dhe djemëve të rinj boshnjak në Srebrenicë, në vitin 1995. Ky krim ishte konsideruar më i rëndi në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Djali i Ratko Mlladiqit ka thënë se i ati ka pasur dy sulme në zemër ndërsa ka qenë në arrati, dora e djathtë e tij është pjesërisht e paralizuar dhe ai mezi flet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›