Gjykatat, PD: Jo anëtarë të inkriminuar me komunizmin
Partia Demokratike i bëri dje thirrje Presidentit të Republikës Bamir Topi që të bëjë kujdes gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Astrit Patozi dhe Viktor Gumi i kujtuan dje kreut të shtetit që të tregohet i kujdesshëm për të mos zgjedhur si anëtarë të dy këtyre gjykatave njerëz politikë dhe të inkriminuar me regjimin komunist. Në këtë rast mazhoranca respekton të drejtën e kryetarit të shtetit në përzgjedhjen e kandidaturave. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, bëri dje të ditur se mazhoranca, sikundër Presidenti Topi, mbështet kandidatura jopolitike dhe pa lidhje me ish-regjimin e vjetër komunist. Kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, ftoi opozitën të bëhet pjesë e procesit për përzgjedhjen e kandidaturave të reja për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Nëse kjo do të ndodhë, - tha Patozi, - opozita do të tregojë se vlerëson rëndësinë e institucioneve të pavarura. Por nga ana tjetër mazhoranca e quan të pajustifikueshme vonesën e Presidentit për të dekretuar dy anëtarët e munguar të Gjykatës së Lartë. Që prej tetorit ky institucion funksionon pa 2 anëtarë të tij, numër që pritet të shtohet sot për shkak të skadimit të mandatit të një gjykatësi tjetër, ndërkohë që në muajin maj do të jetë një tjetër përfundim mandati gjë që do ta çojë në 4 vende vakante këtë institucion. Deputeti i PD-së, anëtar i Komisionit të Ligjeve, z. Viktor Gumi, deklaroi: Të gjithë juristët në Republikën e Shqipërisë bien dakord që vonesa në emërimin e vendeve vakante është vonesë e pajustifikuar, për më tepër kur është periudhë disamujore. Gumi përmendi: Gjithashtu biem dakord në interpretim të gërmës dhe të frymës së Kushtetutës që nuk duhet të lihet qoftë edhe 24 orë vendi vakant. Në emër të mazhorancës, Gumi kërkoi që institucionet të bëjnë përpjekjet maksimale që brenda afatit kohor të mbarimit të mandatit të merren njëkohësisht masat respektive që me mbarimin e këtij mandati të nesërmen institucioni të ketë pasardhësin e tij. Por përveç propozimeve për në Gjykatën e Lartë, Kuvendi është në pritje dhe të 6 dekreteve të tjerë të Presidentit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët gjithashtu duhen zëvendësuar brenda majit.
Kushtetuesja shpesh është kritikuar nga mazhoranca për vendimet e saj në konflikt interesi. Rrëzimi i 4 neneve të ligjit të transportit të zyrtarëve nga kjo gjykatë ka marrë të njëjtin koment. Edhe në këtë rast Gjykata Kushtetuese shqyrtoi një ligj i cili ishte në konflikt interesi, - u shpreh deputeti i PD-së, Viktor Gumi.