E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Domosdoshmëri dialogu Kosovë-Serbi

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, apeloi dje për vendosjen e dialogut institucional mes Serbisë dhe Kosovës pasi kjo do tu shërbejë vetë qytetarëve. Ministri Meta u takua dje me koordinatorin e qeverisë së Kosovës për strategjinë e Veriut, Ylber Hysa, ku u theksua domosdoshmëria e vendosjes së dialogut dhe bashkëpunimit midis Serbisë e Kosovës, pavarësisht dallimeve esenciale mes tyre që lidhen me çështjen e njohjes së shtetit të ri kosovar. Ndër të tjera, Meta shprehu mbështetje për qeverinë e Kosovës në strategjinë e ndjekur prej saj për integrimin e Veriut të vendit. "Shprehim mbështetjen tonë më të plotë për gjithë angazhimin e qeverisë së Kosovës, por dhe të komunitetit ndërkombëtar në implementimin e strategjisë së Veriut, që është e domosdoshme për forcimin më tej të bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe serbëve në shtetin e ri të Kosovës", - u shpreh zv.kryeministri Meta pas takimit me koordinatorin për Politikat e Integrimit të Veriut të Kosovës, Ylber Hysa. Duke mbështetur në mënyrë të qartë e të vendosur sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të ri të Kosovës, Meta theksoi vullnetin e vendosur të qeverisë shqiptare për të kontribuar jo vetëm me mbështetje politike, por dhe në mënyrë konkrete në interes të integrimit të komuniteti serb në Kosovë. "Me gjithë jetën institucionale ekonomike dhe shoqërore atje, iniciativa e qeverisë sonë për të financuar projekte konkrete në komunën e re të Graçanicës është tregues i qartë i bindjes sonë së tashmë, për të garantuar të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë, nuk kemi të bëjmë më me probleme të sigurisë, por në mënyrë të veçantë me probleme ekonomike e sociale", - theksoi kryediplomati shqiptar Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›