Tokat e pakultivuara jepen me qera, Kuvendi miraton ligjin
Kuvendi ka miratuar dje një projektligj të qeverisë i cili i jep të drejtën pushtetit vendor që tokat e papunuara për dy vjet me radhë ti japë me qera. Sipas projektligjit Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara, çdo fermer që ka tokë dhe nuk e punon atë duhet ta japë atë me qera e shumta për 5 vjet. 80 për qind e fitimit të nxjerrë nga kjo kontratë qeraje do të kalojë për fermerin ndërsa 20 për qind për pushtetin vendor. Kuvendi ka miratuar këtë projektligj duke pohuar se në këtë mënyrë nxitet punimi i tokës, por dhe rritja e produkteve bujqësore. Po dje deputetët e mazhorancës pas largimit të opozitës kanë miratuar dhe projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Holandës për privilegjet dhe imunitetet e oficerit ndërlidhës; si dhe projektligjin Për një ndryshim në ligjin nr. 7926, datë 20.4.1995 Për transferimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare, të ndryshuar.