Shqipëria sot dorëzon pyetësorin, Berisha, më 15 prill në Bruksel
Berisha pas një jave takon Presidentin e KE-së, z. Barroso
Qeverisë shqiptare iu deshën vetëm 3 muaj kohë për të plotësuar pyetësorin e KE-së me afro 3000 pyetje, të cilin sot e dorëzon në Bruksel. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, do të udhëtojë paraditen e sotme drejt Brukselit me dokumentin që përmban të gjitha përgjigjet e qeverisë shqiptare mbi të cilat KE-ja do të procedojë me hapat e mëtejshëm që çojnë Shqipërinë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Mësohet se znj. Bregu do tia dorëzojë ambasadës sonë në Bruksel dokumentin prej qindra faqesh e cila do tia dorëzojë më pas Komisionit Evropian. Por vetëm një javë pas dorëzimit të pyetësorit, do të jetë Kryeministri Sali Berisha ai që do të udhëtojë drejt Brukselit për një axhendë të ngjeshur takimesh me autoritetet e KE-së, konkretisht me Presidentin, José Manuel Barroso. Të dy bashkë kanë në axhendën e tyre të 15 prillit një konferencë të përbashkët për shtyp. Mësohet se mes tyre do të diskutohet dokumenti i plotë që qeveria ka përgatitur dhe që KE, në bazë të tij, do të vendosë për vendimet rreth Shqipërisë lidhur me integrimin në BE. Pas këtij momenti Shqipëria do të jetë në pritje. Shqipëria tashmë është në pritje të vendimeve të KE-së. Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror për Integrimin, Kryeministri Sali Berisha u shpreh optimist që Shqipëria në kohën e duhur do të vlerësohet pozitivisht për vendin kandidat në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ky është një fillim i ri dhe vlerësimi i këtij dokumenti është vendimi paravendimtar për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë. Pyetësori, me të gjitha përgjigjet, përkthimet, i cili do të depozitohet sot në Bruksel, përbën një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm për vlerësimin e Shqipërisë, për akordimin e statusit të kandidatit. Ishte ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian, Helmuth Lohan, që i dorëzoi më 16 dhjetor të 2009-s Kryeministrit Sali Berisha, pyetësorin mbi bazën e të cilit Komisioni Evropian do të përgatisë opinionin e tij mbi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Pyetësori i përbërë nga 2280 pyetje në 384 faqe iu dorëzua Kryeministrit shqiptar pak para mesditës së sotme. Është një tregues i seriozitetit që KE po përpiqet të kuptojë në mënyrë gjithëpërfshirëse përgatitjen e Shqipërisë, - theksoi atë ditë në selinë e Kryeministrisë z. Lohan gjatë konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë, Berisha. Nga ana e tij Berisha tha se pyetësori ishte një kartolinë historike për të gjithë shqiptarët. Ndërsa theksoi seriozitetin dhe përkushtimin e stafit të tij në plotësimin e këtij pyetësori i bëri thirrje kundërshtarit të tij politik Edi Rama që bashkërisht të përshëndesin dorëzimin e këtij pyetësori Komisionit Evropian, në kuadër të aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Kurse me 16 nëntor, Këshilli i Ministrave të BE-së miratoi kërkesën e Shqipërisë, e cila ishte dorëzuar që në fund të muajit prill të vitit kaluar, pikërisht gjatë Presidencës çeke. Vetë Kryeministri Sali Berisha, më 28 prill 2009, në Pragë i dorëzoi ish-Kryeministrit çek, Topalonek, kërkesën për anëtarësim dhe pikërisht kërkesën për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.