Montobio: Ngërçi politik, zgjidhja, në Parlament
Ambasadori i Spanjës, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës në BE, Manuel Montobio, i bën apel politikës shqiptare të zgjidhë situatën duke dialoguar në Parlament. Sipas tij, organi ligjvënës është vendi ku duhet të gjendet konsensusi mes palëve. Deklarata e Montobios është bërë nga qyteti i Vlorës ku ai mori pjesë në një forum me qytetarë e studentë. Montobio u bëri thirrje dy aktorëve kryesorë të politikës që të krijojnë Komisionin Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Mosmarrëveshjet duhet të zgjidhjen në Parlament. Zgjidhja duhet të konsistojë në ngritjen e një komisioni parlamentar për të zgjidhur pretendimet e opozitës, - tha ai. Deklarata e ambasadorit të Spanjës vjen në një kohë kur Kuvendi ka ngritur tashmë Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, por mungesa e opozitës në këtë komision ka bërë që ai të mos nisë nga puna. Mazhoranca ka pranuar që nëpërmjet këtij komisioni të bëhet hetimi i zgjedhjeve por pa shkelur vendimet e gjykatës.