E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatat, Topi: Nuk dekretoj kandidatura politike

Topi mbledh grupin konsultativ. Sipas tij, zgjedhja e kandidaturave do bazohet në dy shtylla thelbësore: integriteti moral e integriteti profesional


TIRANË - Asnjë prej kandidaturave, që do të votohet në Kuvend, për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese nuk do të ketë profil politik. Është i vetmi kriter për të cilin Kreu i Shtetit nuk do të bëjë asnjë kompromis, duke qartësuar se kandidaturat do të jenë me integritet të lartë moral dhe profesional.


Pas një periudhe tepër të shkurtër, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka mbledhur sërish në zyrën e tij të Presidencës grupin konsultativ në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.


Ky është takimi i dyte që kreu i shtetit zhvillon me anëtarët e grupit të punës në funksion të asaj që vetë Topi e cilësoi si një proces tejet i rëndësishëm dhe jo thjesht formalitet. "Ky proces është transparent, thelbësor analitik dhe i shtrirë në kohë",- u shpreh Topi gjatë takimit. Ai ka nënvizuar rëndësinë e përzgjedhjes së kandidaturave më të spikatura profesionalisht.


"Në këtë proces do të bëj kujdes të mos zgjedh kandidatura të një profili politik, për t'i dhënë jetë parimit të ndarjes së pushtetit politik nga pushteti gjyqësor e natyrisht pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Këto zgjedhje, do bazohen në dy shtylla thelbësore: integriteti moral e integriteti profesional. Procesi do të realizohet në transparencë, objektivitet dhe ekuilibër për të garantuar për të gjithë konsolidimin e shtetit të së drejtës.


Dëshiroj të falënderoj të gjithë të interesuarit që kanë paraqitur kandidaturat e tyre në këtë proces, i cili ndodhet në fazën e vet përfundimtare!", tha ai. Në anën tjetër ekspertët ligjorë kanë vlerësuar ecurinë dhe transparencën e këtij procesi për përmirësimin e kritereve në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë.


Në takimin e djeshëm, ashtu si edhe pak kohë më parë morën pjesë, figura të njohura të jurisprudencës, si Manjola Bejleri, Kryetare e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Skënder Kaçupi, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Maksim Haxhia, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë etj.


Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Misionit "EURALIUS" të Bashkimit Europian, të Pranisë së OSBE-së e të programit "OPDAT" pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Ndërkohë, paraprakisht mes figurave të jurisprudencës dhe Presidentit të Republikës është rënë dakord që për kandidaturat të ndiqen disa kritere, siç janë kualifikimet shkencore, master, doktoraturë, profesor, as.profesor.


Vjetërsia në punë duhet të jetë minimumi 15 vjet. Kandidatët duhet të kenë bërë botime dhe të kenë mbrojtur tema të ndryshme. Natyrisht do të preferohen ata që nuk kanë marrë masa disiplinore dhe kanë integritet të lartë moral dhe reputacion të mirë në gjirin e juristëve.


Një kriter tjetër do të jetë edhe justifikimi i pasurisë. Kandidatët që do të dekretohen nga presidenti në fund të këtij procesi përzgjedhës do të duhet të kalojnë në një seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve, një detyrim ky që lind nga Rregullorja e Kuvendit, e ndryshuar pas krizës që u krijua në rastin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në vitin 2008. Presidenti i Republikës duhet të dekretojë katër gjyqtarë për Gjykatën e Lartë dhe gjashtë për Kushtetuesen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›