Topi: Mbështes grevën. Është demokratike

Presidenti është parimisht dakord në mbështetje të gjithçkaje demokratike
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka mbështetur grevën e urisë së
deputetëve të Partisë Socialiste. Reagimi zyrtar ka ardhur vetëm pas ditës së katërt
të grevës së opozitës
"Më lejoni të pozicionohem parimisht si kryetar i shtetit në mbështetje të gjithçkaje që është demokratike. Do respektoja gjithçka që respekton parimet demokratike, çdo gjë demokratike duhet të aspirohet dhe aplikohet", - tha ai.
Greva e urisë konsiderohet si një ndër rrugët demokratike për të arritur në përmbushjen e kërkesave që aplikohen sot në botë. Deklarata e Presidentit të Republikës u bë pas një takimi të Organizuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, ku krahas tij, të pranishëm ishin edhe Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, si dhe përfaqësues të institucioneve të ngjashme në vendet e Europës juglindore.
Greva e urisë së deputetëve të majtë është sot në ditën e pestë të saj, ndërsa gjatë ditës së djeshme kanë filluar shenjat e para të keqësimit të shëndetit të grevistëve. Për sa i përket aktivitetit të organizuar nga ILDKP-ja, Topi theksoi se shteti duhet të distancohet nga ata zyrtarë që abuzojnë me postin që kanë.
"Qytetarët duhet ta dinë me hollësi se kush i drejton, kush i qeveris, çfarë modeli zyrtarësh përfaqësojnë ata që takojnë në zyrat e shtetit, që nga komunat e deri tek Presidenti. Por, është akoma më e rëndësishme, distancimi i qartë i shtetit nga çdo zyrtar, i çfarëdo rangu politik e shtetëror, që ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga posti që mban", - tha ai.