E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS - PD debate në Bruksel. Mirel: Kriza ndikon mbi statusin

Deputetët debatojnë edhe në Bruksel. Kukan: Zgjidhja të vijë nga institucionet.
Boshtinaru: Brukseli të japë zgjidhje ashtu si në vitin 2001


BRUKSEL - Moszgjidhja e krizës politike në Shqipëri është shoqëruar me debate të shumta nga eurodeputetët e Parlamentit Europian, si dhe midis përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.


Përfaqësuesit e forcave politike shqiptare kanë paraqitur versionet e tyre politike për zgjidhjen e ngërçit politik, ndërkohë që zyrtarët e Brukselit kanë kërkuar daljen nga kjo situatë, duke mos përjashtuar edhe ndërhyrjen e tyre direkte në zgjidhjen e saj.


Takimi i parë i ditës së djeshme të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit, ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë që drejtohej nga nënkryetari i Parlamentit Europian, Eduard Kukan dhe Viktor Boshtinaru, ka sjellë në vëmendje shqyrtimin dhe diskutimin e pikës së katërt mbi situatën politike në Shqipëri, e cila ka kaluar përpara trajtimit dhe diskutimit të çështjes së liberalizimit të vizave, që është vendosur në rend të pestë.


Gjatë diskutimit të kësaj pike, eurodeputetët e Parlamentit Europian kanë theksuar se situata politike në Shqipëri është mjaft shqetësuese dhe mjaft e komplikuar. "Lajmet që vijnë nga Tirana tregojnë se situata është bërë edhe më e vështirë dhe më e komplikuar. Mendimi im është se zgjidhja duhet të bëhet në institucione demokratike, vendimet e të cilave duhet të respektohen", - ka thekuar Kukan.


Ndërsa Drejtori për Zgjerimin me Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pier Mirel, ka ritheksuar se kriza politike në Shqipëri do të ndikojë në opinionin që do të përgatisë Komisioni Europian mbi përfitimin e statusit kandidat nga vendi ynë.


Ai ka vënë në dukje se ngërçi politik midis opozitës dhe mazhorancës ka bërë që Parlamenti të mos funksionojë sipas parametrave demokratikë dhe për këtë arsye, sipas Mirel, kjo gjendje do të merret parasysh në hartimin e opinionit të KE-së për Shqipërinë. Ndërsa ka qenë mjaft skeptik për zgjidhjen e kësaj situate përmes grevës së urisë të ndërmarrë nga opozita.


"Dua t'i bëj vetes një pyetje. Në këtë fazë të procesit integrues të Shqipërisë, një grevë urie do të thotë të ecësh përpara në këtë fazë të procesit kur ne po përgatisim opinionin për aplikimin tuaj për anëtarësim në Bashkimin Europian?


Kjo nuk është një pyetje teorike, për analistët politik. Një element kyç i kritereve politike është funksionimi efikas i institucioneve demokratike dhe ne duhet t'i përgjigjemi në opinionin tonë për Shqipërinë kësaj pike.


Natyrisht që Parlamenti shqiptar nuk po funksionon që prej 8 muajsh dhe kjo do të reflektohet siç duhet në opinionin tonë", - është shprehur Mirel.


Por, deputetët socialistë nga ana e tyre kanë vënë në dukje se hyrja në grevë e një pjesë të deputetëve të majtë dhe protestuesve ishte e domosdoshme, pasi sipas tyre qeveria nuk ka dhënë ende një përgjigje konkrete ndaj kërkesës së Partisë Socialiste.


"PS-ja është e gatshme për të zgjidhur krizën. Ne jemi për transparencë të pakushtëzuar dhe në respektim të Kushtetutës. Parlamenti duhet të hetojë për të vënë në vend besimin e cunguar për zgjedhjet. Greva e urisë së 22 deputetëve nuk ishte zgjedhje, por detyrim përballë sjelljeve kryeneçe të qeverisë", - ka nënvizuar Valentina Leskaj.


Duke replikuar ndaj qëndrimit të eksponentëve të opozitës, përfaqësuesi i mazhorancës, Jemin Gjana, ka specifikuar qëndrimin standard të shumicës se nëse opozita kërkon zgjidhjen e krizës politike, ajo duhet të respektojë Kushtetutën. Ndërkaq, eurodeputeti socialdemokrat, Viktor Boshtinaru, ka mbajtur një qëndrim pro kauzës së opozitës për transparencën e zgjedhjeve të qershorit, duke përmendur letrën e Kongresit Amerikan, raporteve të ndryshme mbi Shqipërinë, por edhe pjesëmarrjes së lartë në protestën e opozitës.


Duke parë qëndrimet diamentralisht të kundërta midis shumicës dhe opozitës, një pjesë e eurodeputetëve kanë kërkuar dje gjatë diskutimeve që Brukseli të ndikojë në zgjidhjen e çështjes dhe uljen e krerëve të forcave politike sërish në tryezën e bisedimeve. Ai propozoi që propozoi që zgjidhja e krizës politike të gjendet si më 2001, kur opozitës iu dha presidenti konsensual, Prokurori i Përgjithshëm.


"Parlamenti Evropian duhet të kontribuojë në zgjidhjen e krizës politike, duke i detyruar palët që të ulen sërish në bisedime, ashtu si zonja Doris Pak e realizoi në fund të vitit 2001, duke i dhënë opozitës Presidentin konsensual, Prokurorin e Përgjithshëm apo drejtimin e institucioneve të tjera",- theksoi ai.


Deputetët e tjerë të mazhorancës si Mesila Doda dhe Fatos Beja (kryetari i delegacionit të shumicës) janë treguar të gatshëm për t'i lejuar opozitës drejtimin e komisionit hetimor për zgjedhjet e fundit parlamentare, por pa bërë të mundur hapjen e kutive të votimit.


Qëndrimi i mazhorancës është kundërshtuar nga deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, i cili është shprehur se kërkesa e opozitës së majtë për hapjen e kutive është krejtësisht legjitime, duke shtuar se është mungesa e vullnetit politik ajo që nuk lejon hetimin e plotë të zgjedhjeve. "Ne e kemi lexuar Kushtetutën dhe kemi kërkuar komision hetimor sipas ligjit. Është mungesa e vullnetit politik që nuk lejon hetimin e zgjedhjeve", - ka qartësuar Tahiri.

Tabela

Debatet në Parlamentin Evropian mbi krizën politike në Shqipëri

Edurad Kukan (Nënkryetari i PE-së dhe kryetari i Komitetit të SA-së): "Lajmet që vijnë nga Tirana tregojnë se situata është bërë edhe më e vështirë dhe më e komplikuar. Mendimi im është se zgjidhja duhet të bëhet në institucione demokratike, vendimet e të cilave duhet të respektohen."


Pier Mirel (Drejtori për Zgjerimin e Ballkanit në KE) : "Dua t'i bëj vetes një pyetje. Në këtë fazë të procesit integrues të Shqipërisë, një grevë urie do të thotë të ecësh përpara në këtë fazë të procesit, kur ne po përgatisim opinionin për aplikimin tuaj për anëtarësim në Bashkimin Evropian? Kjo nuk është një pyetje teorike, për analistët politikë.


Një element kyç i kritereve politike është funksionimi efikas i insitucioneve demokratike dhe ne duhet t'i përgjigjemi në opinionin tonë për Shqipërinë kësaj pike. Natyrisht, që Parlamenti shqiptar nuk po funksionon që prej 8 muajsh dhe kjo do të reflektohet siç duhet në opinionin tonë."


Valentina Leskaj: "Partia Socialiste është e gatshme për të zgjidhur krizën. Ne jemi për transparencë të pakushtëzuar dhe në respketim të Kushtetutës. Parlamenti duhet të hetojë për të vënë në vend besimin e cunguar për zgjedhjet. Greva e urisë së 22 deputetëve nuk ishte zgjedhje, por detyrim përballë sjelljeve kryeneçe të qeverisë."


Viktor Boshtinaru: (Zëvendëskryetari i Komitetit të SA-së): "Parlamenti Evropian duhet të kontribuojë në zgjidhjen e krizës politike, duke i detyruar palët që të ulen sërish në bisedime. Ashtu si zonja Doris Pak e realizoi në fund të vitit 2001, duke i dhënë opozitës Presidentin konsensual, Prokurorin e Përgjithshëm apo drejtimin e institucioneve të tjera."


Ermelinda Meksi: "Deputetët e opozitës në një vendim ekstrem kanë vënë jetën e tyre në themelet e kësaj kërkese sepse ata besojnë në themelet e demokracisë në Shqipëri, si një nga koleget e mazhorancës sot, besoi vite më parë në demokracinë e Shqipërisë, kur hyri në grevën e urisë në vitin 1991."


Mesila Doda: "Kemi ngritur komisionin hetimor, mund të vijnë që nesër ta marrin drejtimin e tij, por pa shkelur Kushtetutën e vendit tim dhe në respekt të të gjitha parimeve demokratike, përfshirë edhe ato të ndarjes së pushteteve që zonja Meksi duhet të fillojë t'i njohë më mirë."


Fatos Beja: "Zotërinj deputetë socialistë, vendi juaj është në Parlament, aty mund të diskutohet çdo gjë, brenda kuadrit kushtetues, brenda ligjit si në çdo vend tjetër demokratik."


Saimir Tahiri: "Zoti kryetar, kush nga ne në këtë sallë nuk pyet policin rrugor, kur semafori është jeshil, të lë të kalojë apo jo. Ne e dimë ta lexojmë Kushtetutën, e kemi lexuar Kushtetutën dhe prandaj kemi kërkuar komision hetimor në përputhje të Kushtetutës dhe të parimeve të shtetit ligjor.


Mazhoranca i ka përpara edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutën dhe rekomadimet e komisionit të Venecias. Është mungesa e vullnetit politik që nuk e lejon hetimin e zgjedhjeve."

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›