E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: S'ka vendim gjykate që ndalon hapjen e kutive

Deputeti grevist, Fatmir Xhafaj, tha se greva nuk do të ndalet dhe se përgjegjësi për këtë situatë do të mbajë vetëm Berisha

TIRANË - Grevistët e urisë që ndodhen vetëm pak metra të ngujuar nga zyra e kryeministrit Sali Berisha nuk e kanë pasur të vështirë që t'i kthejnë një përgjigje të menjëhershme kreut të ekzekutivit, i cili, dje nuk dha asnjë zgjidhje konkrete për grevën që ka hyrë në ditën e 5-të tashmë.


Ka qenë deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, i cili në emër të gjithë grevistëve ka deklaruar se nuk ka një vendim gjykate që ndalon hapjen e kutive për efekt të transparencës dhe kontrollit parlamentar për zbatimin e ligjit gjatë procesit të administrimit zgjedhor. Për deputetin e PS-së qëndrimi i kryeministrit Sali Berisha është një gënjeshtër e madhe, përmes së cilës, sipas tij, po mbahet peng demokracia e po rrënohet ekonomia e këtij vendi.


"Ne nuk jemi në këtë grevë për një çështje që s'ka të bëjë kreu i qeverisë dhe hapi ynë i skajshëm nuk synon ta bëjë të ndjeshëm atë si njeri, po të hapë sytë e veshët e tij si personi institucionalisht e politikisht përgjegjës për krizën e rëndë të demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë. Kjo krizë buron drejtpërdrejtë prej atyre kutive të mbyllura, ku Sali Berisha mban peng me dhunë antikushtetuese të drejtën themelore të transparencës.


Dhe kreu i qeverisë së votave të vjedhura duhet ta kuptojë përpara se të jetë vonë që me qëndrimin e tij po rrit përditë faturën e kësaj krize", - tha Xhafaj. Deputeti i PS-së e ka një përgjigje edhe për ditën botërore të shtypit, arsyeja për të cilën Berisha doli dje në një konference për shtyp, ku në përgjigje të interesimit të medias foli edhe për grevën e urisë.


"Në ditën botërore të shtypit ne i shprehim zotit Berisha të gjithë neverinë tonë për organet e shtypit të kontrolluara prej tij, që nën diktimin e tij personalisht shkruajnë monstruozitete të turpshme për këtë grevë e për deputetët opozitarë të përfshirë në të, veçanërisht gratë e vajzat, të cilat janë bërë objekt sulmesh rrugaçërore që janë turpi i Sali Berishës në radhë të parë dhe pastaj edhe i klientëve e shërbëtorëve pervers të pushtetit të tij të vjedhur.


Ashtu siç shprehim, nga ana tjetër, keqardhjen tonë kreut të qeverisë së votave të vjedhura për pretendimin e tij qesharak lidhur me paligjshmërinë e grevës apo me rëndimin e trafikut në kryeqytet për shkak të saj.


Të dyja këto pretendime janë në fakt tregues të gjendjes së rënduar logjike të personit përgjegjës për këtë që po ndodh e për çdo gjë që mund të ndodhë në vijim", - tha Xhafaj, duke shtuar se nuk do të jetë e largët dita ku vetë kryeministri Berisha do të japë llogari dhe do të mbajë përgjegjësi për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›