Gjykatat, Topi kërkon votat e PS
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bërë apel që gjatë miratimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese që do të bëhen së shpejti në Kuvend të jetë e pranishme edhe opozita. Gjatë një interviste të dhënë në emisionin “Antinomi” të gazetarit Mentor Nazarko në “Koha TV”, kreu i shtetit shqiptar ka deklaruar se për rinovimin e vendeve vakante në dy institucionet e pavarura do të bëhen së shpejti, por në fillim do t’i takojë Gjykatës së Lartë. Në lidhje me këto emërime, Presidenti Topi tha se “institucioni i Presidentit ka lançuar publikisht një shqetësim që lidhet me nevojën apo domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së të gjithë anëtarëve të Parlamentit për të zgjedhur anëtarë të gjykatave shumë të rëndësishme, sepse kjo do të merrte një ngjyrim tjetër në rast se do të votohej vetëm nga njëri krah. Unë do të dëshiroja që ata të ishin të gjithë në sallë, sepse bëhet fjalë për pushtetin e tretë dhe për pushtetin e tretë nuk janë jo një apo dy vjet, por janë nëntë vjet për çdo anëtar, qoftë të Gjykatës së Lartë, qoftë të Gjykatës Kushtetuese, pra po t’i marrësh në mënyrë kompleksive janë dhjetë anëtarë në dy gjykata, të cilat në total përbëjnë nëntëdhjetë vjet. Dhe nëntëdhjetë vjet që realizohen si zgjedhje brenda një muaji, do të thotë që duhet të ketë një vëmendje e jashtëzakonshme”. Gjithashtu në intervistën e tij, kreu i shtetit prek edhe krizën politike post-tryezës që u zhvillua në selinë numër një të shtetit. Sipas Presidentit, ajo tryezë ka sjellë një efekt që ishte hyrja e opozitës në Parlament, por, nga ana tjetër, kreu i shtetit kërkon që të nisë dialogu politik për të zbatuar standardet europiane.
“Ajo që mund të them në cilësinë e kryetarit të shtetit, mund të them në parim që bashkëpunimi është jetik për fatet e një vendi, i cili është në një rrugë patjetër i përcaktuar drejt një integrimi në familjen europiane dhe ka një rregull, kur tenton të shkosh në një familje, që të pranohesh patjetër duhet të realizosh ato standarde që familja europiane i ka përvetësuar dhe ekspozuar prej kohësh, prej vitesh. Dhe besoj se secili nga liderët politikë, pavarësisht nga debatet e forta politike, tek e fundit duhet ta ketë një pikë të përafrimit, të sintonimit të pozicionit të tyre, që janë në funksion të qytetarit shqiptar”, deklaroi Presidenti i Republikës. Një tjetër pjesë e rëndësishme e zhvillimeve të fundit që është cekur në intervistë ka qenë edhe incidenti me një grup ushtarësh grekë, për të cilin Presidenti ka bërë thirrje që të gjykohet pa emocione dhe në dobi të marrëdhënieve mes dy shteteve tona. “Ajo që unë mund të them tani në këtë moment, është që më vjen mirë që ka reaguar qeveria greke, nëpërmjet zërit eksplicit të ministrit të Mbrojtjes, të zëvendësministrit të Mbrojtjes dhe patjetër ato i kanë dënuar dhe ndjesa e kërkuar të dikton që të mos ta trajtojmë këtë temë”, theksoi Topi. Sipas tij, zërat e çjerrë nacionalistë, nuk i shërbejnë një miqësie që është instaluar nëpërmjet institucioneve tona, aq më shumë midis dy vendeve që janë vende fqinje dhe anëtare të NATO-s. “Ky është një proces, i cili patjetër që duhet të ecë në linjën e dënimit moral, ndoshta dhe ligjor të këtyre zërave nga institucionet greke. E rëndësishme është që nga zërat më të fuqishëm të politikës greke, ka ardhur ndjesë dhe një dënim i aktit të këtij kori të çjerrë për të rikthyer në disa situata, të cilat nuk është e nevojshme t’u rikthehemi midis dy vendeve tona”.
#